Klinton vazhdon vizitën në Pakistan

Hillari Klinton në Islamabad, 28 tetor 2009


Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, vazhdon vizitën në Pakistan nën masa të rrepta sigurie, pas shpërthimit të djeshëm në Peshavar.

Klinton sot ishte në qytetin lindor Lahore, ku vizitoi një xhami dhe u takua me studentët e universitetit.

Ajo e filloi vizitën treditore në Peshavar disa orë para sulmit me bombë në Peshavar, që la 105 të vdekur dhe 200 të plagosur.

Klinton ka thënë se vizita e saj synon të kthejë faqe të re në marrëdhëniet me Pakistanin, ku kritikët thonë se Shtetet e Bashkuara janë të vetmet që interesohen për t’i siguruar mbështetje Pakistanit në luftën kundër Al Kaidës.

Klinton gjithashtu ka thënë se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Pakistanit “të gjithë ndihmën e nevojshme” në luftën kundër ekstremizmit.

“Ne falënderojmë ushtrinë e Pakistanit për luftën e saj të guximshme dhe përkushtohemi se do të jemi krah për krah me popullin e Pakistanit në luftën tuaj për paqe dhe siguri. Ne do t’ju japim ndihmën e nevojshme që ta arrini qëllimin tuaj”, ka thënë Klinton dje në Islamabad.

Sulmi i djeshëm në Peshavar ishte i fundit në valën e sulmeve që kanë goditur Pakistanin, në kohën kur ushtria po kryen një ofensivë kundër militantëve talibanë në rajonin e Vaziristanit jugor, në kufi me Afganistanin.

(V.P)