Klinton: SHBA do të ndihmojë Pakistanin


Më shumë se 80 njerëz u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën nga sulmi me automjet bombë në një treg në qytetin veriperëndimor pakistanez të Peshavarit.

Sulmi që ndodhi në një treg të mbipopulluar ishte më vdekjeprurësi që ka goditur Pakistanin këtë vit.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e cila mbërriti për një vizitë treditore në Pakistan disa orë para sulmit, e përshkroi atë si "brutal”.

Duke folur në një konferencë shtypi me Ministrin e Jashtëm, Shah Mahmud Kurejshi, Klinton gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Pakistanit “të gjithë ndihmën e nevojshme” në luftën kundër ekstremizmit.

“Ne falënderojmë ushtrinë e Pakistanit për luftën e tyre të guximshme, dhe përkushtohemi se do të jemi krah për krah me popullin e Pakistanit në luftën tuaj për paqe dhe siguri. Ne do t’u japim ndihmën e nevojshme që ta arrini qëllimin tuaj”, tha Klinton.

Sulmi ishte i fundit në valën e sulmeve që kanë goditur Pakistanin në kohën kur ushtria po kryen një ofenzivë kundër militantëve talibanë në rajonin e Vaziristanit jugor në kufi me Afganistanin.

Kurejshi tha se vendosmëria e Pakistanit për t’i luftuar militantët nuk është lëkundur nga sulmi i sotëm.