Për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, zhvillimi ekonomik është në krye të listës së premtimeve të partive politike. Pavarësisht kësaj, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se mundësitë për një zhvillim ekzistojnë, ndonëse dyshojnë në ndonjë përmirësim më efikas.
Me Ligjin e ri për vetëqeverisje lokale, i cili ka hyrë në fuqi vitin e kaluar, pushteti lokal ka më shumë kompetenca dhe ky është shkas që partitë politike të kenë programe të zbatuara për zhvillimin ekonomik, thonë ekspertë për çështje ekonomike.
Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se me përgjegjësitë e reja, komunat mund të nxisin zhvillimin ekonomik lokal të secilit qytet veç e veç. Ai konsideron se partitë politike duhet të kenë një program sa i përket zhvillimit ekonomik rajonal dhe, siç shprehet, të mos premtojnë shuma marramendëse të investimeve.
“Mundësitë për të investuar dhe për të bërë më shumë në aspektin ekonomik në komunat e Kosovës, ekzistojnë. Mirëpo, me siguri se ata që do të marrin karrigen në kuvendin komunal duhet të kenë një plan sa i përket zhvillimit të komunës dhe rajonit”, deklaron Keqa.
Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thotë se kryetarët e rinj të komunave do të dalin me më shumë kompetenca se ç’kishin paraardhësit e tyre. Kjo, sipas tij, ka bërë që niveli komunal të mos varet prej atij qendror në nxitjen e zhvillimit ekonomik.
“Kanë mundësi dhe kësaj radhe kanë edhe një avantazh tjetër, se në këtë mandat do t’i kenë katër vjet që të merren me problemet, mirëpo nuk e di se sa po i shfrytëzojnë dhe sa do të shfrytëzohen ato mundësi, që ua ofron qoftë Ligji për vetëqeverisje lokale dhe këto diskutime që po bëhen për decentralizim”, thotë Ahmeti.
Ai vlerëson se partitë politike, pos që duhet të kenë programe të realizueshme, ato duhet të jenë të ndryshme për komunat e Kosovës, pasi që, sipas Ahmetit, problemet nga komuna në komunë dallojnë.
”Edhe në këtë fushatë po shihet se premtimet janë gjashtëfishi i mundësive që kanë dhe prapë nuk po diskutohet për problemet që me të vërtetë janë lokale. P.sh. Vushtrria ka ende probleme me ujëra të pijshëm; Malisheva me ethe hemorragjike; Gjilani me ujëra të zeza; Deçani nuk ka kanalizim fare...”.
“Këto janë probleme, për të cilat ende nuk ka zgjidhje konkrete dhe nuk është ofruar ndonjë program se si do të bëhen këto punë; vetëm vazhdojnë premtimet se këto probleme do të zgjidhen”, thotë Ahmeti.
Partitë politike, të cilat garojnë për zgjedhjet komunale, duhet të fokusohen në përmirësimin e jetës në nivel lokal, thotë edhe Flamur Keqa, duke shtuar se subjektet politike duhet të premtojnë dhe realizojnë përmirësimin e gjendjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në mënyrë që të ulet shkalla e papunësisë.
“E dimë që komunat në Kosovë ballafaqohen me probleme të shumta komunale, siç janë: ujësjellësi, kanalizimi dhe moszhvillimi ekonomik, apo mospërkrahja e mikrondërmarrjeve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kështu që e mira e së mirës do të ishte që ata të paraqesin një program ekonomik, në të cilin do të bazohen edhe votuesit se kujt do t’ia japin votën në të ardhmen”, shprehet Keqa.
Por, megjithatë, duke u bazuar në fushatën zgjedhore të partive politike, Famur Keqa nuk shpreson se pas zgjedhjeve lokale do të ketë përmirësim të zhvillimit ekonomik në nivel lokal.
“Në bazë të asaj që nuk po shoh programe konkrete zhvillimore apo ekonomike me rastin e këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh edhe aspektin makroekonomik në Kosovë dhe gjendjen momentale ekonomike, si dhe drejtimet nga të cilat po shkon zhvillimi ekonomik, nuk pres shumë ndryshime”, thekson Keqa.
Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë pohojnë se pavarësisht programeve që ofron partia në zgjedhjet e mëhershme, elektorati kryesisht ka votuar në bazë të partive politike.