Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë e vlerësojnë si hap pozitiv miratimin e deklaratës për arritjen e objektivave të Mijëvjeçarit në Kuvendin e Kosovës dhe krijimin e “Listës së Bardhë” për politika sociale. Por, ata thonë se kanë mbetur shumë çështje, për të cilat kërkohet një angazhim gjithëpërfshirës institucional në vend. Në një konferencë për media, të mbajtur në Prishtinë, u diskutua mbi arritjet në përfshirjen sociale të Kosovës në kuadër të Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit në Kosovë.
Përfaqësuesit e institucioneve kosovare thonë se kufizimet financiare dhe buxhetore, të cilat i ka aktualisht Kosova, vështirësojnë gjetjen e zgjidhjeve apo përmbushjen e kritereve të vëna nga mekanizmat ndërkombëtarë dhe institucionet tjera në lidhje me politikat sociale në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, sqaron:
“Janë disa prioritete urgjente, me të cilat përballen institucionet e Kosovës, si: zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, hartimi i legjislacionit të duhur e adekuat në lidhje me varfërinë, reflektimi i agjendës evropiane të përfshirjes sociale dhe objektivat zhvillimore të Mijëvjeçarit”.
“Në këtë qëllim është me rëndësi që ne të reflektojmë një lidhje me përmirësimin e botëkuptimeve tona institucionale, politike dhe publike”.
Në mungesë të një politike të përbashkët për politikat sociale, Bashkimi Evropian ka krijuar të ashtuquajturën“Metodë e hapur e koordinimit për përfshirjen sociale” në mes të shteteve anëtare të këtij mekanizmi.
Për vendet kandidate për anëtarësim në BE, që janë Kroacia, Turqia dhe Maqedonia, Komisioni Evropian ka formuar procesin e quajtur “Memorandumi për përfshirje të përbashkët”, përmes të cilit identifikohen sfidat dhe jepen këshillat se si të përballen këto sfida në mbrojtjen dhe përfshirjen sociale.
Mirëpo, për Shqipërinë dhe Kosovën, si vende potenciale për anëtarësim në BE, situata aktuale duket ndryshe.
Përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Frik Janmat, thotë se në tetor të vitit 2008, për Kosovën është krijuar një dokument, ku përcaktohen sfidat dhe objektivat për politikat sociale, por, sipas tij, nuk jepen udhëzimet për arritjen e këtyre objektivave.
“Një nga gjetjet është se ka mungesë të një databaze adekuate të statistikave në fushën sociale. Gjetja e dytë është se ka një koordinim të dobët horizontal dhe vertikal në mes të ministrive, pastaj në mes të ministrive dhe komunave, gjë që e vështirëson dizajnimin e politikave dhe zbatimin e tyre. Ka një mungesë të debateve publike me vendimmarrësit, për të planifikuar dhe menaxhuar shërbimet sociale”.
“Komisioni Evropian shpreh drojën se decentralizimi i shërbimeve për mbrojtje sociale dhe financimi i tyre është bërë shumë shpejt, por nuk ka pasur diskutime për implikimet e këtij decentralizimi në qasjen e të gjithëve në shërbime publike”, thotë Janmat, duke shtuar se, megjithatë, janë bërë dhe hapa pozitivë në këtë drejtim, siç është krijimi i “Listës së Bardhë”.
Ky dokument u vlerësua si pozitiv edhe nga përfaqësues të Kombeve të Bashkuara. Por, udhëheqësja e grupit të këtij misioni në Kosovë, Dorina Bologa, thotë se për Kosovën mbesin ende shumë sfida në politikat sociale.
Për t’i përmbushur objektivat e Mijëvjeçarit deri në vitin 2015, ajo thotë se Kosova duhet të ndërmarrë disa hapa.
“Parlamenti po luan një rol të rëndësishëm në trasimin e rrugës për zhvillim, duke kaluar legjislacionin e duhur, duke shikuar provizionet buxhetore dhe prioritetet. Mirëpo, për t’i realizuar këto nevoja, duhet të ketë përpjekje të koordinuara të të gjithëve”.
“Përfaqësuesit e Qeverisë, shoqëria civile, sektori privat dhe publiku i gjerë duhet të bashkëpunojnë për zhvillimin e legjislacionit dhe të rezultateve të nevojshme për njerëzit e margjinalizuar”, deklaron Bologa.