Brezovica privatizohet më 2010

Brezovica

Përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit bëjnë të ditur se ka filluar privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në enklavat serbe, ndërkaq privatizimi i kompleksit më të madh turistik “Brezovica”, që gjendet në komunën e Shtërpcës, do të bëhet vitin tjetër. Ekspertët thonë se privatizimi i këtij kompleksi do të ndikojë në rritjen e investitorëve të huaj.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka filluar privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, të cilat gjenden në enklavat serbe, bëjnë të ditur përfaqësues të kësaj agjencie.

Zëvendësdrejtori i AKP-se, Shkumbin Bicaj, thotë se në valën e fundit të privatizimit, në tender janë paraqitur edhe kompani që gjenden në lokalitetet e banuara me shumicë serbe, e konkretisht në komunën e Shtërpcës.

Ai potencon se janë afër 50 ndërmarrje që gjenden në mjediset e banuara me shumicë serbe.

“Tani, e kemi shpallur valën e 40- të, e cila është një valë jashtëzakonisht e madhe, ndër to përfshihen edhe disa ndërmarrje të reja në komunën e Shtërpcës. Do të thotë kemi të bëjmë me disa asete më të vogla, më periferike të kompleksit ‘Brezovica’ ”,
thotë Bicaj.

Qendra turistike “Brezovica” do të privatizohet, siç shprehet ai, vitin e ardhshëm, duke shtuar se aktualisht janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme për këtë proces.

“Për momentin jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet për vitin 2010, ku do të fillohet edhe me privatizimin e atyre ndërmarrjeve shoqërore që konsiderohen më të mëdha, që kanë mbetur”.

“Kjo është bërë me qëllim, dhe qëllimi i gjithë këtij ushtrimi, planifikimi, ka qenë, sepse dihet në të kaluarën shumë të afërt, përveçse si agjenci e re, kemi trashëguar një situatë jashtëzakonisht të rëndë, ka qenë edhe një element mjaft rëndues që ka të bëjë me krizën globale financiare”
, shprehet Bicaj.

Kompleksi “Brezovica”, është një nga potencialet më të mëdha turistike që ka Kosova.

Përgatitjet për privatizim të këtij kompleksi kanë filluar që nga viti 2006, nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, por nuk është privatizuar për shkak të, siç është thënë nga anëtarë të bordit të kësaj agjencia, të ndërhyrjes nga Beogradi zyrtar.

Por, zoti Bicaj thotë se këto probleme, tashmë, janë tejkaluar.

“Në të kaluarën ka pasur çështje të tilla, dhe zakonisht kanë qenë si rezultat i interferencave të ndryshme politike, jashtë kontrollit tonë”.

“Si agjenci e pavarur që jemi, këto interferenca të tilla janë neutralizuar që në fillimet e para. Mandati ynë ligjor është i qartë, dhe fundi i fundit privatizimi i të gjitha pronave shoqërore dhe asetet e tyre, në Kosovë është mandat kushtetues”,
thekson Bicaj.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, thonë se privatizimi i kompleksit turistik “Brezovica”, do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Për shkak të rëndësisë së këtij kompleksi, Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se ky proces është dashur të përfundonte disa vjet më herët.

“Dhe, në këtë drejtim, në qoftë se do të arrijmë që të fillojmë një proces të tillë, vërtet do të jetë një korrigjim i gabimeve të bëra nga e kaluara tani nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe, përveç përfitimeve ekonomike që do të bëhet nën kontroll të Kosovës, do të jetë një atraktivitet për turistët e huaj dhe në të njëjtën kohë do të rritet atraktiviteti edhe për investitorët e huaj”,
thotë Gërxhaliu.

“Brezovica”, është qendër kosovare e turizmit veror dhe dimëror. Për vizitorët që pëlqejnë skijimin, “Brezovica” është qendra e turizmit më e vizituar gjatë dimrit në Kosovë.

Përveç dy hoteleve, në qendrën turistike në “Brezovicë” ekzistojnë edhe 300 vila, të cilat lëshohen me qira.

Mosprivatizimi deri tash i këtij kompleksi, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka bërë që investimet me vjet të kenë munguar pikërisht për shkak të pronësisë së ngatërruar që është krijuar.

Përveç kësaj, ky kompleks me këtë status është i njohur edhe për mospagesën e rregullt të tatimeve dhe të energjisë elektrike që e merr nga Korporata Energjetike e Kosovës.