Maldive: Qeveria mban mbledhje nën ujë


Mbledhja e qeverisë në Maldive është mbajtur nën ujë duke simbolizuar kërkesën për ndihmë nga rritja e nivelit të oqeaneve, e cila po e rrezikon ekzistencën e arqipelagut të Oqeanit Indian.

Të veshur me roba të zeza zhytësish dhe me maska në fytyrë, kabineti i presidentit Mohamed Nashid u takua 3.8 metra nën ujë, duke ndenjur ulur në rërë.
Ata qëndruan aty ulur pranë tavolinës për 30 minuta, ndërsa komunikonin duke shkruar në një dërrasë të bardhë plastike.

“Ne po përpiqemi ta dërgojmë mesazhin tonë, që t’ia bëjmë me dije botës se çka po ndodh dhe çka mund t’u ndodhë Maldiveve nëqoftëse nuk kontrollohen ndryshimet klimatike”, u tha Nashid gazetarëve kur doli në sipërfaqe.

Kombet e Bashkuara parashikojnë se Maldivet do të fundosen deri në vitin 2100 nëqoftëse nuk vihet nën kontroll ndryshimi i klimës.