Ngjarjet e javës
10 tetor '09 - Turqia dhe Armenia, në Cyrih, kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e raporteve të ndërsjella. Marrëveshjen e kanë nënshkruar ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Ahmet Davotuglu, dhe ai armen Eduard Nalbadijan.
10 tetor '09 - Presidenti polak, Les Kazçinski, ka nënshkruar Traktatin e Lisbonës, duke bërë Poloninë vendin e 26-të të BE-së që e miraton dokumentin.
11 tetor '09 - Tre shpërthime kanë goditur qytetin irakian Ramadi, në perëndim të Bagdadit, duke vrarë 23 dhe plagosur shumë persona tjerë.
12 tetor '09 - Recesioni dyvjeçar i ekonomisë amerikane ka përfunduar, por rritja ekonomike do të vështirësohet për shkak të shkallës së lartë të papunësisë. “Recesioni i madh ka përfunduar”, thuhet në studimin e 44 analistëve, ekspertëve amerikanë.
12 tetor '09 - Në Kinë, gjashtë njerëz janë dënuar me vdekje lidhur me trazirat në rajonin Ksinxhiang në muajin korrik, në të cilat u shënuan viktima.
12 tetor '09 - Ka dalë në qarkullim kënga më e re e mbretit të popit, Majkëll Xhekson. Kënga “This is it” fillon transmetimin në radio, tre muaj pas vdekjes së këngëtarit.
13 tetor '09 - Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, qëndroi në Lubjanë, për një vizitë dyditëshe, me ftesë të presidentit slloven, Danillo Tyrk.
"Kosova dhe Shqipëria në të ardhmen do të jenë të bashkuara në kuadër të NATO-s dhe BE-së", tha presidenti Topi.
13 tetor '09 - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, u takua me presidentin rus, Dmitri Medvedev, në Moskë. Ky i fundit tha se bashkëpunimi SHBA-Rusi po arrin nivel të lartë.
14 tetor '09 - Komisioni Evropian shpalli raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në pjesën për Kosovën, komisioni vlerëson se “është ruajtur stabiliteti politik”, por shprehet brengosje për korrupsionin, krimin e organizuar dhe mangësitë në sundimin e ligjit.
14 tetor '09 - 1.5 milion fëmijë nën moshën pesëvjeçare humbin jetën çdo vit nga diarreja. Lajmi u bë i ditur nga UNICEF-i, i cili nisi fushatën kundër sëmundjes.
15 tetor '09 - Në Kosovë filloi zyrtarisht fushata zgjedhore. Më 15 nëntor, banorët e Kosovës do të votojnë për pushtetin lokal në të gjitha komunat e vendit.
15 tetor '09 - Bosnja, Brazili, Libani, Nigeria dhe Gaboni u bënë anëtarë të rinj të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Për këto 5 vende votoi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
15 tetor '09 - Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës gjatë luftës së viteve ’90, Radovan Karaxhiq, do të dalë në gjyq më 26 tetor, njoftoi Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
16 tetor '09 - Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku u shqyrtua raporti i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Mun, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Rozmari di Karlo, përshëndeti rolin e UNMIK-ut, por vlerësoi se në planin ndërkombëtar Kosova duhet të veprojë e pavarur.
16 tetor '09 - Presidentja e Irlandës, Meri Mekalesi, ka nënshkruar Traktatin e Lisbonës, duke e kompletuar procesin e ratifikimit, pasi votuesit më herët e miratuan në referendum.
16 tetor '09 - Sipas një analize të fundit, vetëm për tre muaj, gjiganti i internetit, Google, ka fituar 1.64 miliard dollarë. Krahasuar me fitimet e vitit të kaluar, gjatë kësaj periudhe u shënua rritje për 27%.