Shpërndahet redaksia e Enciklopedisë

Enciklopedia e Maqedonisë

Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë vendosi të shpërndajë redaksinë që hartoi Enciklopedinë tepër kontestuese për shqiptarët, si dhe sanksionoi formimin e një redaksie të re, që do të bëjë korrigjimet kontestuese të kësaj vepre.

Nga Enciklopedia e shumëpërfolur për herë të parë është distancuar edhe vetë Akademia në Shkup.

Pas shpërndarjes së redaksisë së kryesuar nga Bllazhe Ristovski, redaksia e re me përfaqësues eminentë të bashkësive etnike, do të bëjë korrigjimin e historisë dhe marrëdhëniet shoqërore në vend.

Korrigjimet do të bëhen veçanërisht në pjesën për shqiptarët dhe për marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar, si SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, për të cilat thuhej se kishin stërvitur ish UÇK-në në Maqedoni.

Redaksia e re duhet të formohet brenda një muaji.

Vendimi i Kryesisë së Akademisë është përshëndetur nga Qeveria në Shkup, e cila ka shprehur bindjen se problemet e krijuara do të zgjidhen brenda vetë institucionit të Akademisë.

Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere, tha se ky do të jetë shans i shkëlqyer që akademikët t’i diskutojnë bashkërisht këto çështje dhe t’i zgjidhin në frymën e mirëkuptimit dhe besimit midis komuniteteve, e jo të ndarjeve.

Vendimi për shpërndarjen e redaksisë së enciklopedisë është mirëpritur edhe nga Lëvizja Qytetare ‘Zgjohu’, e cila paralajmëroi ngritjen e një padie kundër redaktorit të deritanishëm të enciklopedisë, Bllazhe Ristovski.

Lëvizja ’Zgjohu’, gjithashtu, ka kërkuar nga Akademia që të sigurojë pjesëmarrjen e barabaratë të akademikëve shqiptarë në këtë institucion.