Marrëveshjet rajonale për sigurinë

Policia e Kosovës

Derisa EULEX-i zhvilloi takimin e parë me zyrtarët serbë për zbatimin e protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet këtij misioni dhe shtetit serb, në Prishtinë u nënshkrua një marrëveshje për bashkëpunim policor ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim policor me Qeverinë e Kroacisë.

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në kohën kur në Beograd u zhvillua takimi i parë në mes të EULEX-it dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë, për gjetjen e modaliteteve për zbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim policor, të nënshkruar ndërmjet këtyre dy palëve më 11 shtator.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, as kësaj radhe, nuk kanë dashur të komentojnë gjasat për përfshirjen eventuale të ekzekutivit kosovar në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se Kosova nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje, porse do të jetë pjesë e bashkëpunimit rajonal për forcimin e sundimit të ligjit.
Qeveria e Kosovës nuk ka qenë pjesë e atij aranzhmani teknik, por do të jemi pjesë aktive e luftimit të dukurive negative...

“Ne kemi qenë të informuar nga EULEX-i që do të kenë takime të tilla në Beograd. Ju e dini se Qeveria e Kosovës nuk ka qenë pjesë e atij aranzhmani teknik, por do të jemi pjesë aktive e luftimit të dukurive negative dhe e bashkëpunimit rajonal, për cilindo që do të jetë për interesat e popujve dhe vendeve tona”, tha Kuçi.

Qëndrimi i ekzekutivit kosovar u bë i ditur dhe nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, pas një takimi me ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Tomislav Karamarko, gjatë të cilit u nënshkrua marrëveshja bilaterale për bashkëpunim policor.

Zenun Pajaziti
“Për takimin e EULEX-it me përfaqësuesit serbë, ju mund t’iu bëni pyetje atyre. Unë nuk e di në çfarë formati do të zhvillohet takimi. Jemi të përkushtuar si institucione vendore, si Ministri e Brendshme, të marrim pjesë në të gjitha iniciativat regjionale dhe më gjerë për sa i përket jo vetëm bashkëpunimit, por edhe inkuadrimit tonë në aktivitete të përbashkëta”,
tha Pajaziti.

Pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të EULEX-it, sipas të cilave, zbatimi i marrëveshjes për bashkëpunim policor, të nënshkruar me shtetin serb, nuk mund të jetësohet pa miratimin e të gjitha palëve, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, tha se institucioni që ai drejton, nuk do të jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje.

Sheremet Ahmeti
“Ne s'jemi pjesë e protokollit, ne s’jemi pjesë e konsultimeve të atij protokolli. Ne jemi shtet. Ne jemi agjenci e pavarur në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe padyshim se ne si shtet dhe si agjenci e pavarur duhet të bashkëpunojmë me të gjithë, e mbi të gjitha me fqinjët, por gjithnjë mbi bazat e reciprocitetit të dy agjencive dhe të dy shteteve”,
tha Ahmeti.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm kroat, Karamarko, e cilësoi si të domosdoshëm bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë dhe atë të sundimit të ligjit, marrë parasysh synimin e vendeve ballkanike për integrim në Bashkimin Evropian.

Bashkëpunimi policor ndërmjet Kosovës dhe vendeve rajonale që nuk e njohin atë si shtet, sipas tij, nuk duhet të politizohet, ngase, siç tha, ekziston nevoja për forcimin e aktiviteteve operative të policive rajonale në përgjithësi.

I pyetur për rëndësinë e mbështetjes së Qeverisë së Kosovës në zbatimin e marrëveshjes për policinë ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, Karamarko u shpreh:
Çështja e krimit të organizuar dhe e terrorizmit janë të një rëndësie aq të madhe, saqë mosbashkëpunimi do të ishte luks.

“Mendoj se është logjike që çdo bashkëpunim i ka vështirësitë e veta, sidomos marrë parasysh dinamikën e zhvillimeve të pranishme në rajon me vite të tëra. Çështja e krimit të organizuar dhe e terrorizmit janë të një rëndësie aq të madhe, saqë mosbashkëpunimi do të ishte luks”.

“Besoj se njerëzit një ditë do të vetëdijesohen dhe do ta kenë të qartë se bashkëpunimi ndërmjet policive të rajonit është i domosdoshëm”,
tha Karamarko.

Pas nënshkrimit të protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, autoritetet ndërkombëtare kishin paralajmëruar nënshkrimin e protokolleve të ngjashme për dogana e gjyqësi, me të cilat, siç thuhet, synohet të kthehet kontroll në këta sektorë, sidomos në pjesën veriore të Kosovës.