Shtetet e Bashkuara sot kanë bërë thirrje për aksion në shkallë globale kundër “shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorit” nga ana e bankave iraniane.
Sekretari i Thesarit, Timoti Gajtner gjithashtu tha se sanksionet ekzistuese kundër institucioneve financiare të Iranit duhet të implementohen nga të gjitha shtetet.
Gajtner i bëri këto komente në një takim të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Stamboll.
Ai gjithashtu tha se bashkësia ndërkombëtare do të duhej të urdhëronte “kundërmasa” ndaj Iranit.
Uashingtoni shpreson se presionet ndaj Iranit do ta frenojnë programin e tij bërthamor, dhe do ta godasin mbështetjen e Iranit për grupet militante, përfshirë Hezbolahun e Libanit dhe grupet e armatosura palestineze, të cilat i sheh si organizata terroriste.