Ngjarjet e javës

26 shtator '09 - Papa Benedikti XVI ka zhvilluar një vizitë treditëshe në Republikën Çeke. Ai ishte takuar dhe me presidentin çek, Vaclav Klaus, ndërsa në Bërno të Çekisë ka udhëhequr meshën para 130 mijë besimtarëve.

27 shtator '09 - Edi Rama është rizgjedhur në krye të Partisë Socialiste, me afro 93% të votave të fituara nga anëtarët e PS-së. Rivali tij, Maqo Lakrori, ka marrë 6.7% të votave. Zgjedhjet u bënë sipas sistemit “një anëtar, një votë”, në shkallë vendi. Pjesëmarrja në këto zgjedhje partiake ishte 65%.

27 shtator '09 - Votuesit gjermanë kanë vendosur që kancelarja aktuale, Angela Merkel, të mbetet edhe një mandat në këtë post. Rezultatet treguan se demokristianët e zonjës Merkel kanë marrë pothuajse 34% të votave në zgjedhje, ndërsa socialdemokratët rivalë arritën të fitojnë 23%.

27 shtator '09 - Regjisori Roman Polanski është arrestuar nga policia zvicerane, derisa ai po arrinte në Festivalin e Filmit në Cyrih, thanë organizuesit e këtij festivali. Ata thanë se zoti Polanski është arrestuar sipas fletarrestimit të vjetër 31 vjet të Shteteve të Bashkuara. Roman Polanski është person i kërkuar në Shtetet e Bashkuara prej vitit 1978, i dyshuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë 13-vjeçare.

28 shtator '09 - Garda Revolucionare e Iranit ka testuar raketën dyshkallëshe me rreze të gjatë veprimi, të quajtur Sejil. Agjencia Fars dhe kanali televiziv Pres TV në gjuhën angleze raportuan për këto prova, por nuk thanë se a ishin ato të suksesshme apo jo. Garda, po ashtu, ka lansuar edhe raketën Shahab 3, rrezja e së cilës arrin në 2 mijë kilometra.

28 shtator '09 - Shkencëtarët kinezë kanë zbuluar fosilet e një dinosauri - shpezë me katër krahë, për të cilin thonë se është lidhja e munguar në evolucionin e dinosaurëve në shpezë. Shkencëtarët kinezë thonë se këmbët e gjata të krijesës janë shndërruar në krahë. Fosili është i vjetër rreth 160 milionë vjet.

29 shtator '09 - Presidenti amerikan, Barak Obama, ka takuar në Uashington shefin e NATO-s, Anders Fog Rasmusen. Fog Rasmusen ka qëndruar në Uashington për të diskutuar luftën në Afganistan. Pas bisedimeve, Obama tha se lufta në Afganistan nuk ishte një “betejë krejtësisht amerikane”, por një mision i gjerë i NATO-s. Fog Rasmusen mbështeti komentet e Obamës.

29 shtator '09 - Ka vdekur në një spital të Beogradit mbështetësi francez i ekipit të futbollit të Tuluzës. Bris Tato ishte njëri nga dy mbështetësit e ekipit francez, që u plagosën nga sulmet e huliganëve serbë.

29 shtator '09 - Tajfuni që ka goditur Filipinet, është shtrirë në Vietnam, ku ka mbytur të paktën 22 persona dhe ka shtyrë të evakuohen 170 mijë të tjerë. Tajfuni Ketsana, që i është afruar bregdetit të provincës qendrore Quang Nam, ka shkaktuar vërshime, ndalje të energjisë elektrike dhe evakuim.

30 shtator '09 - Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, përmes një komunikate, ka njoftuar vendimin për tërheqjen nga shitja të Enciklopedisë së Maqedonisë. Nga redaksia është kërkuar që në afat sa më të shkurtër të përmirësohen të gjitha njësitë kontestuese, që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase.

30 shtator '09 - Një cunam i fuqishëm ka goditur ujdhesat Samoa dhe Samoa Amerikane në Paqësorin Jugor. Cunami pasoi tërmetin nënujor me fuqi prej 8.0 ballë të Rihterit.

30 shtator '09 - Dy gazetarë të shërbimit për Iranin të Radio Fardas / Radio Evropa e Lirë, kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë, në një fatkeqësi trafiku në periferi të Pragës. Gezetarja Rosa Ajiri (27 vjeçare) dhe kolegu i saj, Amir Zaamanifar (29 vjeçar), humbën jetën në aksidentin e trafikut në mëngjesin e 29 shtatorit, në autostradën në veri të kryeqytetit çek.

1 tetor '09 - Një numër i konsiderueshëm nxënësish të shkollës së mesme “Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë janë trajtuar në Qendren Klinike Universitare në Prishtinë. Ata kanë shfaqur simpotma të ngjashme, që janë pengesa në frymëmarrje, dhimbje koke e barku, plogështi, si dhe simptoma të një reagimi kolektiv psikologjik.

1 tetor '09 - Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara unanimisht ka miratuar rezolutën që e dënon dhunën seksuale në konfliktet ushtarake. Në këtë rezolutë u bëhet thirrje qeverive që në mënyrë më të vendosur të veprojnë për ta eliminuar këtë dukuri. Takimin e Këshillit të Sigurimit e ka kryesuar sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.

1 tetor '09 - Kina ka shënuar 60-vjetorin e regjimit komunist me një paradë masive ushtarake dhe marsh festiv nga më shumë se 100 mijë ushtarë dhe civilë. Në paradën ushtarake, Ushtria Çlirimtare e Popullit ka shfaqur armatimet e fundit, përfshirë edhe raketat balistike ndërkontinentale, tanke dhe helikopterë sulmues.

2 tetor '09 - Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, një trup gjykues i përzier, i përbërë prej një gjykatësi kosovar dhe dy gjykatësve të EULEX-it, ka shpallur fajtorë pjesëtarët e të ashtuquajturit "Grupi i Llapit", në mesin e të cilëve është edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa.

2 tetor '09 - Presidenti amerikan, Barak Obama, ka arritur në Kopenhagë për të mbështetur ofertën e Çikagos për të organizuar Lojërat Olimpike 2016. Obama është presidenti i parë amerikan që personalisht i adresohet Komitetit Olimpik, për të mbështetur ofertën e një qyteti.

2 tetor '09 - Votuesit irlandezë u janë drejtuar kutive të votimit për të përcaktuar fatin e Traktatit të Lisbonës. Ky është referendumi i dytë në vend, pasi herën e parë votuesit refuzuan traktatin. Traktati i Lisbonës ka për qëllim që të ristrukturojë vendimmarrjen në BE.