Kreu i komisionit mjekësor të Organizatës Botërore të Futbollit, FIFA, deklaroi se ndërhyrjet e rrezikshme kanë ndikuar në përfundimin e karrierës futbollistike të shumë lojtarëve në dy vitet e fundit.
Mishel Hozh u bëri thirrje referëve që të tregojnë më shumë kartona të kuq, ndërsa u apeloi trainerëve që të angazhohen për të zvogluar dhunën në teren.
Ai tha se disa ndërhyrje e thyejnë “boshtin kurrizor”, dhe shtoi se ato duhet të incizohen në DVD me qëllim që t’u dërgohen federatave kombëtare të futbollit, për t’u eliminuar nga loja.
Sipas tij, ka dy lloje të ndërhyrjeve të rrezikshme: goditja prapa shpine dhe shfrytëzimi i palejueshëm i bërrylit, të cilat do të duhej automatikisht të sanksionohen me karton të kuq.