Ngjarjet e javës
4 korrik '09 - Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar Ilir Metën, kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, të hyjnë në koalicion për të formuar qeverinë e re. Ftesës së Sali Berishës për koalicion, kryetari i LSI-së i është përgjigjur pozitivisht. Ndërkaq, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kishte deklaruar se marrëveshja për koalicionin ndërmjet PD-së dhe LSI-së bën "pazarin më të turpshëm të viteve të fundit".
4 korrik '09 - Në mbarë Shtetet e Bashkuara, me manifestime të ndryshme, është festuar Dita e Pavarësisë.
4 korrik '09 - Guvernatorja e Alaskës dhe ish-kandidatja për nënpresidente të Shteteve të Bashkuara, Sara Pejlin, ka deklaruar se do të braktisë postin aktual, duke mos i saktësuar planet e mëtejme. "Detyra ime është të mbroj shtetin tonë të madh”, ka thënë Pejlin në një sinajlizim të befasishëm për tërheqjen.
4 korrik '09 - Tenistja amerikane, Serena Uiliams, ka triumfuar në turneun e Uimbldonit, pasi që në finale ka mundur motrën më të moshuar, Venus Uilimas 2 : 0 (7:6, 6:2). Ky është titulli i tretë i Serena Uiliamsit në Uimbldon.
5 korrik '09 - Në qytetin kinez, Urumqi, ka shpërthyer një valë e dhunës. Mediat shtetërore kineze kishin raportuar për 156 veta të vrarë dhe më se 800 të plagosur nga dhuna në rajonin perëndimor Ksinjiang në Kinë. Për këto trazira, Qeveria e Kinës ka fajësuar grupet ujgure në ekzil, që kërkojnë pavarësi nga Kina.
6 korrik '09 - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka arritur për një vizitë dyditëshe në Moskë. Zoti Obama do të bisedonte me presidentin e Rusisë, Dmitri Medvedev, lidhur me zvogëlimin e arsenalit bërthamor. Administrata e Obamës, para këtij samiti, vazhdimisht ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për marrëdhënie më të mira me Rusinë.
6 korrik '09 - Presidenti amerikan, Barak Obama, dhe presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, kanë nënshkruar një deklaratë, duke premtuar të arrijnë një marrëveshje të re për reduktimin e armëve bërthamore, me të cilën do të zëvendësohej marrëveshja START e vitit 1991.
6 korrik '09 - Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara për çështjen e emrit, Metju Nimic, ka qëndruar në Shkup, ku është takuar me zyrtarët më të lartë të Maqedonisë. Ai u ka ofruar disa ndryshime zyrtarëve maqedonas nga propozimi i tij i fundit për zgjidhjen e çështjes së emrit, por nuk ka dhënë detaje se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë.
7 korrik '09 - Mujë Rugova është zgjedhur rektor i ri i Universitetit të Prishtinës. Emërimi i tij në krye të UP-së është bërë pas disa shtyrjeve të votimit, pasi që Ministria e Arsimit nuk delegonte anëtarët e Këshillit Drejtues në takimet e parapara. Rugova vjen në postin e rektorit pas dr. Enver Hasanit, i cili ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
7 korrik '09 - Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, është takuar me kryeministrin rus, Vladimir Putin, në ditën e dytë të vizitës së tij në Rusi. Takimin e tij të parë me Putinin, Obama e quajti "një mundësi të shkëlqyer për t’i vënë marrëdhëniet SHBA-Rusi në një nivel më të fortë”.
7 korrik '09 - Familjarë, miq, por edhe mijëra fansa i kanë dhënë lamtumirën e fundit pop ikonës, Majkëll Xhekson. Ceremonia memoriale publike u organizua në Los Angjelos, me ç’rast shumë nga miqtë e Majkëllit kënduan këngë në nderim të tij.
8 korrik '09 - Mbretëria e Jordanisë ka njohur shtetin e Kosovës. Lajmin ia bëri të ditur zyrtarisht ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ambasadori i Jordanisë në OKB, Mohammed F. Al-Allaf.
8 korrik '09 - Kolegji i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendës, ka miratuar aktakuzën e ngritur nga prokuroria kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të njohur si Grupi i Llapit. Gjatë leximit të aktakuzës, prokurori ndërkombëtar përmendi pikat e përmbledhura të aktakuzës, të cilat kanë të bëjnë me trajtim jonjerëzor gjatë paraburgimit, rrahje dhe torturë ndaj të burgosurve.
8 korrik '09 - Liderët e 8 shteteve më të industrializuara në botë, gjatë takimit të tyre në L’Akuila të Italisë, kanë arritur një marrëveshje të re për luftën kundër ngrohjes globale. Përmes një deklarate, liderët thanë se qëllimi i tyre ishte që të kontrollohet rritja e temperaturave deri në dy gradë Celsius.
9 korrik '09 - Anëtarët e Bashkimit Evropian kanë nominuar formalisht Hose Manuel Baroson për një mandat të dytë për postin e presidentit të Komisionit Evropian. Kryeministri suedez, Frederik Rajnfeld, vendi i të cilit kryeson presidencën e BE-së, tha se të gjithë krerët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar “unanimisht” për këtë nominim.
9 korrik '09 - Qindra njerëz janë mbledhur në Sarajevë, derisa konvoji me mbetjet e më se 500 myslimanëve të Bosnjës, të vrarë në Srebrenicë, po dërgoheshin për varrim. Në mesin e personave të mbledhur kishte të mbijetuar dhe familjarë të të vrarëve, në mizorinë më të madhe në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore.
10 korrik '09 - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka shtrënguar duart me liderin e Libisë, Muamar Gadafi. Marrëdhëniet diplomatike mes Libisë dhe Shteteve të Bashkuara ishin ndërprerë para më shumë se 20 vjetësh, pasi Uashingtoni e kishte akuzuar Libinë se është duke e mbështetur terrorizmin, duke përfshirë edhe sulmin ajror me bombë në një kompani ajrore amerikane në Skoci, që la të vdekur 270 persona në vitin 1988.
10 korrik '09 (foto arkiv) - Policia e Kosovës dhe ajo e Bashkimit Evropian bënë të ditur se kanë zbuluar një varr masiv në lindje të Kosovës. Mbetjet e të paktën tetë njerëzve u zbuluan në atë vend, tha zëdhënësi i misionit të BE-së për forcimin e sundimit të ligjit, Kristof Lamfalusi.
10 korrik '09 - Kryeshefi i policisë në Los Angjelos, Uiliam Braton, tha se hetimi i rrethanave të vdekjes së Majkëll Xheksonit mund të fitojë karakter kriminal. “Ne po presim vërtetimin e zyrës për Mjekësi Ligjore rreth shkakut të vdekjes”, tha Breton, duke theksuar: “Kjo do të varet shumë nga raportet për kontrollat toksikologjike, mbi bazën e të cilave do të kemi një ide rreth çështjeve si: A kemi të bëjnë me një vrasje ose me mbidozë aksidentale të barnave”.
10 korrik '09 - Në disa xhami në rajonin perëndimor Ksinjang në Kinë, besimtarët myslimanë kanë falur xhumanë, pavarësisht vendimit të autoriteteve kineze për të mbyllur xhamitë në këtë rajon pas dhunës së ditëve të fundit.