Ngjarjet e javës

30 maj '09 - Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, është liderja më e adhuruar politike nga britanikët, gjermanët, italianët dhe spanjollët. Ky është rezultati i hulumtimit të opinionit, që është bërë publik nga e përditshmja e Parisit “Figaro”, në të cilin në pozitën e dytë gjendet presidenti francez, Nikolas Sarkozi. Sipas kësaj ankete, rreth 65 për qind e të anketuarve janë shprehur pozitivisht për Angela Merkelin, ndërsa për Sarkozin 51 për qind.

30 maj '09 - Një laborator i armëve në Kaliforni e ka zbuluar sistemin më të madh të laserit në botë. Sistemi mund të fokusojë 192 tufa rrezesh në një pikë të vogël, duke gjeneruar temperaturë dhe shtypje, për të cilën shkencëtarët thonë se ekziston vetëm në bërthamën e yjeve. Qëllimi kryesor i sistemit është që të shërbejë si mjet për matjen e sigurisë së arsenalit bërthamor në Shtetet e Bashkuara, por shkencëtarët gjithashtu thonë se zbulimi mund të jetë kthesë në enrgjinë e fuzionit.

31 maj '09 - Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, kanë përuruar tunelin në Kalimash, në rrugën Durrës-Kukës-Morinë. Ceremonia u mbajt në mesditën e 31 majit, kur Berisha dhe Thaçi në mënyrë simbolike u takuan në mes të tunelit, i cili ka një gjatësi prej 5.6 kilometrash.

31 maj '09 - Policia speciale ruse ka arrestuar së paku 10 protestues, derisa ata po përpiqeshin të protestonin në Sheshin e Fitores, në qendër të Moskës, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Vladimir Putin. Eduard Limonov, lideri i Partisë Kombëtare Bolshevike të ndaluar, ishte në mesin e të arrestuarve. Autoritetet e qytetit kishin refuzuar lejimin e kësaj proteste, por grupi i zotit Limonov dhe të tjerët nuk i ishin nënshtruar këtij vendimi.

31 maj '09 - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Pirjes së Duhanit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë fushatë që shtetet të nisin të vënë paralajmërime me fotografi në kutitë e cigareve, si p.sh. pamje me dhëmbë të zverdhur dhe tumore, në mënyrë që duhanpirësve t’u tregohen rreziqet nga duhani për shëndetin e tyre. Bëhet e ditur se paralajmërimet me fotografi i kanë bindur disa njerëz që të ndërpresin pirjen e duhanit.

1 qershor '09 - Gjiganti amerikan i prodhimit të automjeteve, General Motors, ka paraqitur dokumentet për falimentim, duke u bërë kompania më e madhe që falimenton në hisrotinë amerikane. Hapi që pritej u bë pasi GM pësoi humbje të mëdha, pas rënies së shitjeve në vitet e fundit. Presidenti Barak Obama ka thënë se falimentimi ishte pjesë e “planit të qëndrueshëm e të arritshëm”, i cili do t’i japë mundësi kompanisë të “rimëkëmbet përsëri”.

1 qershor '09 - Një aeroplan i kompanisë ajrore Air France, me të paktën 228 udhëtarë në bord, është zhdukur nga ekrani i radarit mbi Oqeanin Atlantik. Kontrolli i trafikut ajror e humbi kontaktin me aeroplanin Airbus A330 pak pasi fluturoi nga Rio De Zhaneiro në drejtim të aeroportit Sharl De Goll në Paris.

1 qershor '09 - Personi i vetëm që kishte mbijetuar fatkeqësinë e anijes së njohur Titanik, Milvina Din, ka vdekur në moshën 97-vjeçare. Milvina Din, familja e së cilës kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte foshnjë dymuajshe në Titanik, kur anija u fundos në vitin 1912. Milvina kishte shpëtuar pasi e kishin mbështjellur në qese plastike. Fatkeqësinë e kishin mbijetuar edhe nëna dhe vëllau i Milvinës, ndërsa babai i kishte vdekur.

2 qershor '09 - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, u nis për në turneun e parë rajonal në Lindjen e Mesme. Obama filimisht fluturoi në Arabinë Saudite, ku bisedoi me Mbretin Abdullah, i cili po përpiqet të rifillojë nismën paqësore me Izraelin, e cila u mbështet nga vendet arabe në vitin 2002.

2 qershor '09 - Qeveria e Kosovës është shprehur e vendosur se do t’i eliminojë të gjitha pengesat që i dalin përpara procesit të kthimit. Kryeministri Hashim Thaçi e ka dhënë këtë premtim gjatë drekës që ka ngrënë me familjen serbe Spasiq, shtëpia e së cilës ngriti themelet në një fshat afër Obiliqit.

2 qershor '09 - Pjesëtarë të forcave ajrore të Brazilit, gjatë kërkimeve për aeroplanin e zhdukur në Oqeanin Atlantik, kanë gjetur diçka që dukej të ishte pjesë e aeroplanit. Një zëdhënës i forcës ajrore ka thënë se “mbetjet e vogla” janë gjetur 650 kilometra në verilindje të ishullit brazilian, Fernando do Noronja. Sidoqoftë, ai nuk ka mundur të konfirmojë se a i takojnë ato pjesë aeroplanit, i cili u zhduk gjatë fluturimit nga Rio De Zhanejro për në Paris.

3 qershor '09 - Organizata Transparency International, e cila mat nivelin e korrupsionit në vendet e ndryshme të botës, ka publikuar raportin “Barometri i Korrupsionit Global 2009”. Hulumtimet janë zhvilluar në 69 vende dhe gjetjet kryesore dëshmojnë se partitë politike, shërbmi civil, parlamenti dhe drejtësia mbeten sektorët më të korruptuar. Ndër vendet më të korruptuara, sipas raportit, janë: Ukraina, Argjentina, Bullgaria, Rumania, Bolivia etj. Kosova është radhitur në grupin e tretë të vendeve të ndikuara nga korrupsioni, duke fituar notën 3.4.

3 qershor '09 - I dërguari amerikan, Riçard Holbruk, ka arritur në Pakistan për të vlerësuar përpjekjet për t’i ndihmuar miliona njerëz, që janë zhvendosur për shkak të ofensivës qeveritare kundër talibanëve. Holbruk, emisar special për Pakistanin dhe Afganistanin, do të vizitonte kampet e refugjatëve, do të takohej me punëtorët humanitarë dhe me zyrtarë qeveritarë, gjatë qëndrimit të tij treditor në Pakistan.

3 qershor '09 - Televizioni Al-Xhazira ka transmetuar një incizim, i cili thuhet se është i kreut të Al-Kaidës, Osama Bin Laden. Zëri në incizim thoshte se presidenti amerikan, Barak Obama, ka "mbjellë fara për urrejtje dhe hakmarrje kundër Amerikës" dhe se Obama është duke i vazhduar hapat e paraardhësit të tij, Xhorxh Bush.

4 qershor '09 - Kuvendi i Kosovës, me 65 vota për, e ka votuar Sami Kurteshin, në postin e Avokatit të Popullit. Ky votim pasoi një përpjekje katërvjeçare të Kuvendit të Kosovës për të emëruar Avokatin e Popullit.

4 qershor '09 - Kosova është anëtarësuar në Bankën Botërore. Këtë lajm e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili këtë hap e vlerësoi si pozitiv për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës.

4 qershor '09 - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka mbajtur fjalimin e tij të shumëpritur drejtuar botës myslimane. Obama tha se ka ardhur në Kajro për të kërkuar një fillim të ri në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me botën myslimane, por “ky ndryshim nuk mund të vijë brenda natës”.

4 qershor '09 - Më 4 qershor u shënua 20-vjetori i shtypjes së kryengritjes në Tienanmen. Në këtë datë, në vitin 1989, tanket e ushtrisë kineze kishin dalë në sheshin Tienanmen, në qendër të Pekinit, për t’i hequr studentët dhe punëtorët, të cilët disa javë mbanin protesta pro demokracisë. Atëbotë, qindra, e ndoshta dhe mijëra njerëz u vranë.

4 qershor '09 - Polonia ka shënuar 20 vjetorin e zgjedhjeve të vitit 1989, të cilat çuan në kolapsin e komunizmit. Më 4 qershor, 1989, polakët votuan në zgjedhjet gjysëm-demokratike për lëvizjen opozitare “Solidariteti”. Pasi “Solidariteti” erdhi në pushtet, satelitët tjerë sovjetikë në Evropën Lindore u liruan nga regjimet e tyre komuniste para fundit të vitit 1989.

5 qershor '09 - Prokurori jugo-afrikan, Riçard Goldstone, kryesues i ekipit të Kombeve të Bashkuara për hetimin e pasojave të ofensivës izraelite në Rripin e Gazës, ka thënë se ishte i shokuar nga përmasat e shkatërrimeve.

5 qershor '09 - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, është takuar me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit, të dy zyrtarët e lartë thanë se kanë diskutuar për shumë çështje, përfshirë krizën ekonomike globale, procesin paqësor në Lindjen e Mesme, që po ngec, dhe situatën lidhur me programin bërthamor të Iranit.