Ngjarjet e javës
3 maj '09 - Prokuroria e Serbisë për krime lufte po zhvillon hetime intensive kundër Fatmir Limajt, ish-komandant i UÇK-së, për, siç thuhet, krimet ndaj civiliëve serbë në rajonin e Drenicës, kanë bërë të ditur mediat serbe. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës serbe për krime lufte, Bruno Vekariq. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës i ka cilësuar qesharake këto pohime. Zëdhënësi Memli Krasniqi ka thënë se kemi të bëjmë me një "farsë tjetër të institucioneve të Serbisë".
3 maj '09 - Bashkëshortja e kryeminsitrit italian, Silvio Berluskoni, planifikon të kërkojë divorcin. Veronika Lario e ka bërë publik vendimin për dhënien fund martesës 20 vjeçare në një intervistë. Ish-aktorja 52 vjeçare publikisht ka kritikuar Beluskonin disa herë, ndërsa për herë të fundit për faktin që ai kishte marrë pjesë në ditëlindjen e 18-të të një vazje nga Napoli.
4 maj '09 - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje publike të gjithë personave të zhvendosur, sidomos atyre serbë, që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre. Thaçi i kishte bërë thirrje edhe Beogradit, që të ndikojë pozitivisht në procesin e kthimit të serbëve që aktualisht janë të strehuar në Serbi.
4 maj '09 - Në Tiranë ka filluar gjykimi i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mejdiu, dhe 27 të akuzuarve të tjerë për shpërthimin e depove të municionit në Gërdec, ku humbën jetën 27 veta. Përveç Mejdiut, të pendehur janë edhe ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë dhe drejtuesit e një kompanie që merrej me asgjësimin e mjeteve shpërthyese.
4 maj '09 - Zyrtarëve në një qark në Kinën Qendrore u është thënë që të pijnë afro një çerek milion paketa cigare të prodhimit vendor, përndryshe mund të rrezikojnë të përjashtohen nga puna. Gazeta shtetërore "Global Times" raportoi se rregullorja në qarkun Gong'an synon të nxitë ekonominë lokale përmes taksave të cigareve.
5 maj '09 - Mbështetja për anëtarësim e Kosovës në FMN thuhet se është siguruar me votat e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të BE-së, që e kanë njohur Kosovën e pavarur. Sipas zyrtarëve të Qeverisë, ishte më i vogël numri i vendeve që ishin kundër anëtarësimit të Kosovës në FMN. Mediat raportojnë se me anëtarësimin në FMN, Kosova, fillimisht, do të ketë 88 milionë dollarë aksione të saj, që i kalojnë shumat e deponuara nga fqinjët, Shqipëria dhe Mali i Zi.
5 maj '09 - Gjeorgjia tha se e ka zbuluar një komplot, që kishte për qëllim një kryengritje të armatosur, për t’i shkatërruar ushtrimet ushtarake të NATO-s në këtë vend. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme gjeorgjiane, Shota Utiashvili, tha se disa oficerë të lartë janë arrestuar dhe ka akuzuar Rusinë për involvim. Ministri i Mbrojtes, David Sikharulidze, tha se kryengritja ishte harmonizuar ashtu që të koincidojë me ushtrimet e NATO-s, që do të fillonin një ditë më pas në Gjerogji.
5 maj '09 - Së paku 44 veta janë vrarë nga sulmi i personave të armatosur kundër dasmorëve në pjesën juglindore të Truqisë. Zyrtarët thanë se sulmuesit e maskuar depërtuan në një shtëpi në fshatin Bilge dhe gjuajtën granata dhe hapën zjarr ndaj mysafirëve në dasmë. Ndër të vrarit kishte fëmijë dhe gra. Ministri i Brendshëm, Besir Atalay, tha se duket se sulmi është pasojë e armiqësive ndërmjet familjeve.
6 maj '09 - Autoritetet e shëndetësisë në Kosovë kanë njoftuar se rasti i vdekjes së një femre 27 vjeçare në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë konsiderohet si rast i dyshuar i infektimit me virusin e ri, që njihet me emrin “gripi i derrave”. Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në Prishtinë kanë thënë se dy analizat e para kanë dalë negative, por është Organizata Botërore e Shëndetësisë ajo që duhet ta thotë fjalën e fundit.
6 maj '09 - Senati i Republikës Çeke, që aktualisht e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, ka miratuar Marrëveshjen e Lisbonës. Kryeministri në largim, Mirek Topolanek, kërkoi nga senatorët që ta miratojnë këtë dokument, pasi ai parasheh reformat në BE.
6 maj '09 - Persona të panjohur kishin kërcënuar me postë elektronike Ministrinë e Shërbimeve Publike në Qeverinë e Kosovës se kishin vendosur një mjet shpërthyes në ndërtesën e kësaj ministrie. Punonjësit në këtë ministri janë larguar nga zyrat duke qëndruar para ndërtesës, përderisa njësitet e specializuara të policisë kishin hyrë brenda në kërkim të gjetjes së mjeteve të dyshimta. "Pas kontrollit të ndërtesës së qeverisë, përkatësisht kateve ku dyshohej për vendosjen e ndonjë mjeti shpërthyes, policia nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë", ka thënë zëdhënësi Arbër Beka. Ky lajmërim është konsideruar i rrejshëm dhe punonjësit janë kthyer në ndërtesë.
7 maj '09 - Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha se është larguar nga Kolumbia pas një urdhri nga autoritetet e këtij vendi, meqë kërkohej nga Serbia si "i akuzuar për krime të luftës". “Autoritetet e Kolumbisë kishin marrë një kërkesë nga Serbia për arrestimin tim dhe për të më dorëzuar në Serbi”, i kishte thënë Agim Çeku agjencisë Reuters. Sipas Çekut, “ky ishte një urdhër arresti jolegjitim” dhe shtoi se “jam vërtet i befasuar që Interpoli ende merret me këtë gjë kur e di se Serbia nuk ka autoritet ndaj qytetarëve të Kosovës”.
7 maj '09 - Valentina Demaj, ng Stublla e Epërme, nuk ka vdekur nga gripi i derrave dhe kjo tregon se në Kosovë nuk ka dëshmi se ka të infektuar nga ky virus. Kjo është bërë e ditur nga autoritetet shëndësore të Kosovës, pas analizës së tretë të bërë në Londër. Këtë informacion, për mediat në Kosovë, e ka konfirmuar edhe ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi.
8 maj '09 - Presidenti amerikan, Barack Obama, ka deklaruar se SHBA-të dhe Rusia kanë rast të shkëlqyer që t’i përmirësojnë marrëdhëniet në një spektër të gjerë çështjesh, që nga kontrollimi i armatimit bërthamor deri te Lindja e Afërt dhe marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve. "Sikurse kam thënë edhe më herët, mendoj që kemi rast të shkëlqyer t’i ripërtrijmë marrëdhëniet për shumë çështje", ka thënë Obama pas takimit me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në Shtëpinë e Bardhë.
8 maj '09 - Analizat e rezervave federale tregojnë se 10 nga 19 banka amerikane kanë nevojë për një kapital shtesë prej 75
miliardë dollarë për të tejkaluar krizën në rast të përkeqësimit të recesionit. Njëherësh, këto analiza kanë konkluduar se sistemi financiar dhe ekonomia amerikane, po shërohen, por ende nuk janë tërësisht të shëndoshë.