Aktorja e njohur, Vanesa Redgrejv, u largua nga Kosova, duke thënë se ndihet me fat për vizitën që mundi t’i bëjë Kosovës. Ajo premtoi se vitin e ardhshëm do të jetë sërish e pranishme në kuadër të festivalit të filmit “Prishtina Interneshënell Film Festival”.
Konferenca e fundit për media në Kosovë e aktores së njohur britanike, Vanesa Redgrejv, duket se u shndërrua në një moment mjaft emocional për 72-vjeçaren, e cila erdhi në Kosovë në kuadër të festivalit të filmit “Prishtina Interneshënell Film Festival”.
Skulptori kosovar, Luan Mulliqi, ia dorëzoi fitueses së çmimit Oskar një dhuratë - një skulpturë, e cila simbolizon nënat shqiptare, të cilat vazhdojnë t’i kenë të zhdukur familjarët e tyre.
Mulliqi tha se problemi që ka Kosova me personat e pagjetur mundëson tërheqjen e një paraleleje shpirtërore në mes të dhembjes së nënave kosovare, që presin kthimin e trupave të familjarëve të tyre, dhe dhembjes së aktores, e cila në muajin mars të këtij viti humbi vajzën e saj, si pasojë e një aksidenti.
“Ju kam sjellë një skulpturë që paraqet një grua nga Prizreni dhe u inspirova ngase ajo nuk mund t’i gjejë dy djemtë dhe burrin e saj”, tha ai.
Mulliqi falënderoi aktoren Redgrejv për ardhjen në Prishtinë dhe për kontributin e saj për Kosovën dhe filmin kosovar. Ai porositi yllin e filmit që në momentet më të vështira t’i kujtojë nënat kosovare që janë në pritje të fëmijëve të tyre.
“Një fjalë e urtë kineze thotë se edhe maratona më e gjatë fillon me hapin e parë. Ne bëmë hapin e parë, të cilin nuk mund ta bënim pa ju. Andaj, ju falënderoj dhe në kohën më të vështirë kur ndjeni dhembjen, kujtoni këtë grua, e cila është në pritje të trupave”, u shpreh Mulliqi.
E emocionuar dhe me lot në sy, aktorja, e cila shquhet për përzgjedhjen e roleve të vështira dhe kontroverse, premtoi se do të vijë në Kosovë edhe në vitin e ardhëm, për të marrë pjesë në festivalin e ardhshëm të filmit.
“Jam një grua me shumë fat. Ju faleminderit shumë! Jam shumë e lumtur të jem këtu me të gjithë ju sërish, sërish dhe sërish, edhe vitin e ardhshëm. E premtoj këtë”, tha Redgrejv.
Aktorja Redgrejv është e njohur edhe për aktivitetet e saj politike dhe në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Për herë të parë ajo vizitoi Kosovën më 1997.