Sejdiu pret delegacionin nga Lugina e Preshevës


Presidenti Fatmir Sejdiu priti sot një delegacion të Luginës së Preshevës, të cilët e kanë njoftuar presidentin e Kosovës me zhvillimet e fundit në komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës.

Ata kanë theksuar një varg problemesh dhe vështirësish me të cilat ballafaqohen banorët shqiptarë, përfshirë shkallën e lartë të militarizimit të rajonit, aksionet e herëpashershme të bastisjeve dhe arrestimeve të shqiptarëve, problemet me diplomat nga Kosova,thuhet në komunikatën e lëshuar nga presidenca në Prishtinë.

Presidenti Sejdiu ka theksuar angazhimin për të krijuar politika që afrojnë popujt dhe bashkëpunimin midis dy vendeve sovrane, në interes të qytetarëve të të dy vendeve.

Ai gjithashtu ka theksuar se standardet ndërkombëtare dhe të gjitha ato që parashihen me konventat më të rëndësishme për të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve, duhet të respektohen edhe në Serbi.