Serbët e veriut kundër rindërtimit dhe EULEX-it

Mitrovicë

Disa qindra serbë të veriut të Mitrovicës kanë zhvilluar një protestë kundër rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut” dhe kundër misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Serbët e veriut të Mitrovicës kanë zhvilluar një protestë me moton “Kundër rindërtimit dhe kundër EULEX-it”.

Në protestë, e cila vjen një javë pas rinisjes së punimeve në rindërtimin e shtëpive të pronarëve shqiptarë të lagjes “Kroi i Vitakut”, morën pjesë rreth
500 serbë.

Njoftohet se protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime kundër presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, kundër procesit të rindërtimit të shtëpive në Kroin e Vitakut dhe me kërkesa për largimin e EULEX-it nga Kosova.

Zyrtarë të EULEX-it thonë se është e drejtë e të gjithë qytetarëve të protestojnë në mënyrë paqësore dhe, siç thuhet, pa mjete të dhunshme.

Sidoqoftë, zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, mendon se është keqinterpretuar roli i EULEX-it në Kosovë.

“Në lidhje me demonstratën për të kundërshtuar EULEX-in, mendoj se ka ende shumë interpretime të gabueshme për rolin dhe mandatin e EULEX-it në Kosovë. Është e qartë se, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, ka pasur një mungesë të sundimit të ligjit; vetëm shikoni faktin se pas vendosjes së EULEX-it kemi arritur të rihapim gjykatën, e cila qe mbyllur për 9 muaj, si pasojë e demonstratave të dhunshme”.

“Mendoj se çdokush që është në favor të një sistemi funksional të sundimit të ligjit, përfshirë veriun, nuk mund të ketë asgjë kundër veprimit të EULEX-it atje”,
u shpreh Limdal, duke qartësuar se roli i misionit të BE-së për sundim të ligjit në lidhje me rindërtimin e shtëpive në Kroin e Vitakut, ka qenë asistues.

Ajo që policia e EULEX-it ka bërë në këtë drejtim, sipas saj, ka qenë ofrimi i mbështetjes për Policinë e Kosovës, në mbajtjen nën kontroll të situatës së sigurisë.

Situata në veri të Mitrovicës është diskutuar edhe në takimin e sotëm të Komitetit për Siguri, që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të komunës së Mitrovicës.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, citohet të ketë thënë se motoja e protestës së serbëve tregon për, siç thuhet, absurditetin me të cilin udhëhiqet Këshilli Nacional Serb dhe strukturat paralele në veri.

Sipas zyrtarëve të komunës, do të respektohet e drejta për të protestuar, por ajo nuk bën të ndikojë në procesin e rindërtimit. Shefi i Zyrës për Informim në komunën e Mitrovicës, Ahmet Jashari, sqaron:

“Sot kanë vazhduar punimet pa problem edhe në pjesën më të thellë të Kroit të Vitakut, në pronat e familjeve Vitaku, ku para disa javësh ishin shkaktuar tensione për shkak të protestave të dhunshme të pjesëtarëve të komunitetit serb”.

Njoftohet se nuk ka pasur asnjë incident gjatë protestës, ndërsa protestuesit janë shpërndarë të qetë.

Ndërkohë, lëvizja “Vetëvendosje!” ka zhvilluar, po ashtu, një aktivitet në shenjë kundërshtimi ndaj misionit EULEX.

Sloganet “EULEX Made in Serbia” të shkruara në murin para ndërtesës së EULEX-it në qendër të Prishtinës, të cilat ishin fshirë nga autoritetet e EULEX-it, u rishkruan nga aktivistë të kësaj lëvizjeje.