“Liberalizimi i vizave, Kosova shpreson në vjeshtë”


KOSOVA SOT
Ndonëse politika zyrtare e Kosovës nuk ka hequr dorë nga pozicioni i palëkundur, duke e quajtur të papranueshme marrëveshjen e paralajmëruar, bisedimet rreth kësaj çështjeje duket se ende do të vazhdojnë. Bazuar në deklaratat e disa zyrtarëve evropianë, kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet jo më larg se në fund të shtatorit, gjë e cila është shprehur edhe nga zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Serbisë. Institucionet e vendit e konsiderojnë të papranueshëm protokollin midis EULEX-it dhe Serbisë, por gjithnjë duke thënë se bashkëpunimi me prezencat e misioneve të BE-së në Kosovë do të vazhdojë. Në një zë kundërshtues janë shprehur të gjitha forcat opozitare. Ndërsa, analistë të Kosovës thonë se kjo marrëveshje cenon drejtpërdrejt sovranitetin e Kosovës...

EXPRESS
Tentimet e përhapjes së paragjykimeve të ndryshme për kosovarët si njerëz gjaknxehtë, të prapambetur, kriminelë, fundamentalistë apo terroristë, shumë shpejt pritet të marrin një përgjigje adekuate mediale të përmasave globale.Prej tetorit, bota do të ketë mundësi ta shohë një imazh bashkëkohor të popullit me moshën më të re mesatare në Evropë. Kosovarët do të paraqiten energjikë, bashkëkohorë, të arsimuar dhe mbi të gjitha, të pavarur. Për këtë do të përkujdeset kompania më e suksesshme amerikane për marrëdhënie me publikun, “Saatchi & Saatchi”, që tashmë identifikohet me sloganin e njohur “I Love New York”. Përmes reklamave televizive që do të transmetohen në televizionet më të mëdha ndërkombëtare, rrëfimet për popullin dhe bukuritë e Kosovës për herë të parë do përfaqësohen edhe nga vetë kosovarët...

ZËRI
Ndonëse Kosova është i vetmi vend në rajon që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave, zyrtarët qeveritarë shprehen të bindur se edhe vendi ynë shumë shpejt do të jetë pjesë e këtij procesi. Sipas tyre, në vjeshtën e këtij viti, kur pritet të publikohet edhe raporti i studimit të fizibilitetit, Komisioni Evropian do t’i sugjerojë BE-së që për Kosovën të gjendet një model, i cili do të jetë i pranueshëm për të gjitha vendet e anëtare, e sidomos për pesë vendet që ende nuk e kanë njohur shtetin më të ri në botë. Edhe zyrtarët e Komisionit Evropian në Kosovë, muaj më parë kishin paralajmëruar që Brukseli do t’u sugjerojë vendeve të BE-së që për Kosovën të propozojnë një model sa i përket procesit të liberalizimit të vizave...

BOTA SOT
Zoti Wahlund shfaqi bindjen e tij se BE-ja do ta ndryshojë qëndrimin e Prishtinës zyrtare ndaj protokollit përmes bisedimeve dhe dialogut. Autoritetet në Prishtinë kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se debatet për protokollin EULEX-Serbi janë të mbyllura, por thonë se do të vazhdojnë bashkëpunimin me misionet ndërkombëtare në Kosovë. Ndërkohë, misioni i EULEX-it ka paralajmëruar nënshkrimin e dy protokolleve të tjera, atë të doganave dhe të drejtësisë. Çështjen e protokollit për policinë, zëvendësshefi i departamentit suedez për BE-në e cilësoi të jetë në interes të Prishtinës zyrtare. Ai nënvizoi se udhëheqësit politikë të Kosovës kanë qenë në dijeni të plotë për të gjitha bisedimet e misionit evropian për drejtësi dhe polici me Beogradin për protokollet...

EPOKA E RE
Organizata “People to People International” ka nderuar të shtunën në mbrëmje, gjatë një darke prestigjioze në Las Vegas të shtetit Nevada, kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me çmimin ndërkombëtar “Eisenhower Medallion”. Mary Eisenhower, presidente e kësaj organizate, mbesa e Dwight D.Eisenhower, ish-president i SHBA-së, dhe themelues i Organizatës “People to People”, ka përshëndetur aktivitetin duke u shprehur se ky çmim i jepet Prof. Dr. Sali Berishës për kontributin që ka dhënë në krijimin e një klime paqësore mes Shqipërisë, vendeve të rajonit dhe komunitetit global...

KOHA DITORE
“Concept of Operations” thuhet të përmbajë referenca relevante rreth kufizimeve të mandatit të EULEX-it. Burimet flasin se kufizimet përfshijnë edhe Protokollin. EULEX-i thotë se dokumenti nuk mund të bëhet publik, porse nuk e ndalon marrëveshjen me Beogradin... Një dokument intern i Bashkimit Evropian që përshkruan mandatin e misionit të BE-së në Kosovë, EULEX, dhe përmbajtja e të cilit është tërësisht e panjohur për publikun e Kosovës, përmban referenca për kufijtë brenda të cilëve mund të veprojë EULEX-i në Kosovë. “Concept of Operations”-CONOPS (Koncepti i Operacioneve) është dokumenti, të cilin ministrat e BE-së e kanë miratuar bashkë me Planin e Veprimit, në shkurt të vitit 2008, për t’i hapur rrugë vendosjes së EULEX-it në Kosovë...

LAJM
Ministria i ka bërë përgatitjet e duhura për ballafaqim me këtë virus të njohur si gripi i derrave. Ndërkohë, zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (ISHPK) thonë se në stinën e vjeshtës pritet shtimi i numrit të rasteve. Sipas drejtorit të ISHKP-së, Naser Ramadani, vaksina kundër këtij gripi akoma nuk ka dalë në treg. Por, Qeveria e tashme ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për porosinë e vaksinave për 25 për qind të popullatës. Porosia është bërë bazuar në rekomandimet Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Ramadani tha se gjatë stinës së vjeshtës mundësia e përhapjes së gripit të derrave është më e madhe...

INFOPRESS
Policia e Kosovës (PK), të dielën ka shënuar dhjetëvjetorin e saj të themelimit. Nga viti 1999, deri sot janë bërë hapa të rëndësishëm në ndërtimin e saj. “Dhjetë vjet më parë janë vënë themelet e njërit nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë së shtetit. Suksesi i shtetit demokratik dhe multietnik të Kosovës më së miri pasqyrohet te ju si Polici shembull e gjithë rajonit”. Kështu u tha me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të Policisë së Kosovës. Hajredin Kuçi shprehu respektin dhe mirënjohjen për Policinë e Kosovës, për punën e tyre në vënien e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës. Ai, në emër të kryeministrit të Republikës së Kosovës, përgëzoi policinë për këtë ditë...