Misioni i BE-së thotë se do të nënshkruajë aranzhime teknike me Serbinë, të cilat dallojnë nga protokollet, që, sipas zyrtarëve të këtij misioni, nuk mund të nënshkruhen nga EULEX-i. Ekspertët për çështje juridike thonë se me nënshkrimin e dokumenteve të tilla, EULEX-i do të anashkalonte institucionet e Kosovës.
Përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë ritheksojnë se nuk kanë ndërmend të anashkalojnë Prishtinën zyrtare në lidhje me nënshkrimin e të ashtuquajturave aranzhime teknike me Serbinë.
Pas këmbënguljes së autoriteteve kosovare se në raport me vendet fqinje do të merren parasysh këshillat e misioneve evropiane në Kosovë, ndërsa do të veprohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, EULEX-i thekson se, si mision teknik që është, nuk mund të veprojë si shtet. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, shprehet:
Ne nuk po merremi me një protokoll, me një marrëveshje ndërkombëtare apo me ndonjë gjë të ngjashme. Këto gjëra nënshkruhen ndërmjet shteteve. EULEX-i nuk është shtet.
“Ne nuk po merremi me një protokoll, me një marrëveshje ndërkombëtare apo me ndonjë gjë të ngjashme. Këto gjëra nënshkruhen ndërmjet shteteve. EULEX-i nuk është shtet. Ajo që ne përpiqemi të formalizojmë është një aranzhim teknik për shkëmbimin e informatave, të ngjashme me ato që kemi nënshkruar në të kaluarën me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi”, thekson Limdal, për të shtuar se në lidhje me aranzhime të tilla do të përfshihen të gjitha palët në proces.
Pak kohë para se komiteti për politikë dhe siguri i BE-së i ofroi mbështetjen e plotë misionit EULEX për nënshkrimin e aranzhimeve teknike me Qeverinë e Serbisë, mospajtimet ndërmjet EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës kishin të bënin me protokollin për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
Eksperti për çështje juridike, Kujtim Kërveshi, mendon se përmbajtja e një aranzhimi eventual teknik ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë për policinë nuk do të ndryshojë nga ajo e protokollit të mëparshëm.
Kërveshi pohon se nënshkrimi i një dokumenti të tillë mund të pasojë me aranzhime të ngjashme edhe për gjyqësinë dhe fusha të tjera, të cilat, sipas tij, kristalizojnë planin 6-pikësh të kreut të OKB-së, Ban Ki Mun.
“Gjithsesi se aranzhimi është teknik, sepse bashkëpunimi është teknik. Pra, nuk bëhet fjalë për një bashkëpunim tjetër pos atij në nivelin teknik që lidhet me funksionimin e policisë, atë të doganave nesër dhe të gjyqësisë gjithsesi. Marrëveshje janë të gjitha, që nga konventat, traktatet, protokollet, shtojcat -të gjitha janë marrëveshje ndërkombëtare, por përmbajtja nuk do të ndryshojë”, thotë Kërveshi.
Ndonëse mandati i EULEX-it e përcakton atë si mision këshillues, mentorues dhe monitorues në Kosovë me disa fuqi ekzekutive, Kërveshi mendon se në instancë të fundit ky mision nuk mund të vendosë në emër të Qeverisë së Kosovës, kur bëhet fjalë për bashkëpunime me shtetet fqinje.
EULEX-i mund të luajë rolin e lehtësuesit, por assesi nuk mund të jetë titullar i këtyre marrëveshjeve...
“EULEX-i mund të luajë rolin e lehtësuesit, por assesi nuk mund të jetë titullar i këtyre marrëveshjeve. Titullarë të këtyre marrëveshjeve janë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe institucionet e Kosovës. E gjithë ajo që mund të bëjë EULEX-i, është lehtësimi i arritjes së marrëveshjes me Serbinë”, thotë ai, duke theksuar se kjo aktualisht është e pamundur, marrë parasysh faktin që Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet.
Në lidhje me këtë temë, ndërkohë, politikanë dhe analistë ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësimet e tyre, duke thënë se në lidhje me aranzhimet eventuale EULEX-Serbi, Kosova duhet të veprojë si shtet.