"KQZ në dilemë për komunat e reja"

Të përditshmet kosovare

EPOKA E RE
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nëpërmjet zëdhënësit Blerand Stavileci, ka akuzuar të hënën Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), se po bën paragjykime të pabaza. Ai i ka dërguar porosi, siç është shprehur, partisë së tretë opozitare - “Ramushit dhe ramushistësve të vegjël”, se humbjen në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit do ta përjetojnë “live”. “Ramushit dhe ramushistëve të vegjël, PDK-ja do të përkujdeset t’u ofrojë kënaqësi, duke ua paraqitur para syve humbjen e thellë, të cilën do ta përcjellin dhe do ta përjetojnë nëpërmjet kamerave, në transmetim ‘live’”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se zërat e AAK-së po përpiqen ta përgatisin elektoratin e tyre për humbjen që do t’i presë...

KOHA DITORE
Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Nesrin Lushta, ka thënë se zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha komunat, përfshirë edhe ato të rejat, megjithëse mundësia e formimit të komunave të reja deri më 15 nëntor ka mbetur ende e diskutueshme. “Zgjedhjet do të bëhen në 38 komuna. Përgatitjet po bëhen në të gjitha komunat dhe janë bërë komisionet komunale zgjedhore (KKZ)”, ka thënë Lushta. Por, Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare ende nuk e kanë të qartë nëse ndonjë nga komunat e reja do të mund të përgatitet për t’i zgjedhur përfaqësuesit e saj në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit...

LAJM
“Speleologët sllovakë rastësisht e kishin zbuluar njërën ndër shpellat më të bukura dhe më të mëdha në botë. Ndonëse e pahulumtuar deri në fund, Shpella e Grykës së Madhe sot konsiderohet të jetë ndër 10 shpellat më të mira dhe më të gjata në botë”, thotë speleologu Mentor Bojku, anëtar i shoqatës “Aragonit” nga Peja, që merret me hulumtimin e shpellave. Bojku, bashkë me speleologë të tjerë të huaj dhe kolegë vendës, ka hyrë deri në thellësinë prej afro 20 kilometrash të kësaj shpelle ende të pashfrytëzuar...

INFOPRESS
Serbia akuzohet në Gjykatën e Strasburgut, sepse nuk ka paguar vullnetarët e saj për të gjitha ato ditë që masakruan dhe vranë shqiptarët në Kosovë. Padia është ngritur nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Leskovc në Gjykatën e Strasburgut, në emër të 42 veteranëve serbë të luftës nga Vllasotnici dhe Leskovci i Serbisë, të cilët padisin shtetin e Serbisë për shkak të dietave të papaguara për ditët e luftës në Kosovë në vitin 1999...

KOSOVA SOT
Përballimi në mënyrën sa më profesionale të valës së dytë të pandemisë A/H1N1, e cila paralajmërohet se mund të fillojë në vjeshtë, ka shtyrë drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë të organizojnë të hënën një trajnim në Prishtinë për mjekët familjarë. Skënder Syla, shef i zyrës së OBSH-së në Prishtinë, ka vlerësuar se Kosova deri më tani ka një gjendje të qetë sa i përket gripit të derrave dhe se të gjitha rastet janë trajtuar mirë...

EXPRESS
Rrugët e ngushta me asfalt të plasaritur shumë shpejt do të shndërrohen në një rrugë të shpejtë, me katër korsi dhe dy ndihmëse. Por, të gjitha autostradat që do të ndërtohen në Kosovë, fillimin e kanë në rrethin më të madh që pritet të ndërtohet në Ballkan. Ditëve të fundit, rrethrrotullimi në hyrje të Prishtinës ka filluar të marrë formë, shumica e shtyllave tashmë janë vendosur...

ZËRI
Kreu i ekzekutivit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës që nga dita e parë ishte e interesuar për të investuar në fushën e arsimit dhe të edukimit, sepse vetëm kështu zhvillohet e ardhmja e një shteti demokratik dhe të përparuar. Ai ka thënë se kanë filluar me kohë reformat në arsim për të ecur në hap me shtetet e zhvilluara të rajonit duke modernizuar kabinetet shkollore, kompjuterizimin e tyre e kështu me radhë. Thaçi u ka premtuar të gjithë punëtorëve arsimorë se gjatë kësaj qeverisjeje ata do të kenë edhe një rritje pagash...

BOTA SOT
Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, priti në takim njohës ambasadorin e ri të SHBA-ve në Kosovë, z. Kristofer Dell. Në takim ishte i pranishëm edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi. Ministri Mujota i uroi zotit Kristofer Hill marrjen e postit të ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë. Ministri e njoftoi mysafirin me punën njëvjeçare për procesin e themelimit të ministrisë dhe ngritjes së strukturës së FSK-së. Në këtë rast, ministri falënderoi ndihmën e vlershme të SHBA-ve të dhënë përmes donacioneve...