Ellison: Rusia të zgjedhë mes Polonisë e Ballkanit

Riki Ellison

“Këtu hyn në lojë marrëveshja me Rusinë për një vend të tretë, ndërkohë që hiqet dorë nga Polonia. Rusia duhet të mendojë e të zgjedhë nëse është më mirë për të që sistemi i mbrojtjes raketore të vendoset në Poloni apo në Ballkan”, thotë Riki Ellison, president i Aleancës për Mburojën Kundër-raketore.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ellison, Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se nuk i ka anuluar planet për vendosjen e mbrojtjes raketore në Çeki dhe Poloni. Sipas jush, cila është gjendja aktuale me këto plane?

RIKI ELLISON
Shtetet e Bashkuara kanë filluar të shikojnë mundësinë e mbrojtjes së Evropës dhe SHBA-ve nga raketat e Iranit edhe nga vendndodhje të reja përveç Republikës Çeke dhe Polonisë. Kjo ide doli në sipërfaqe për herë të parë gjatë një konference javën e kaluar, ku ishte dhe presidenti Obama.

Aty ishin dhe diskutimet e para për vendosjen e mburojës raketore edhe në vende të tjera veç Çekisë e Polonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni mbështetës i fuqishëm i mbrojtjes raketore. Për një publik të gjerë, në terma konkretë, çfarë rëndësie ka ky lloj i mbrojtjes për Evropën?

RIKI ELLISON
Ky lloj i mbrojtjes është i nevojshëm për të mos lejuar raketat balistike me rreze të shkurtër, të mesme e të gjatë të Iranit. Irani i ka dhe po i zhvillon më tej këto raketa.

Në këto kushte, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa nuk kanë nevojë të përdorin forcën ushtarake, sulmet parandaluese apo armët bërthamore për t’u përballur me Iranin. Ky i fundit do të zotërojë armë bërthamore brenda pak vitesh.

RADIO EVROPA E LIRË
A është kundërshtimi rus një nga faktorët kyçë që administrata aktuale amerikane po ndryshon planet për vendndodhje të reja të mburojës raketore?

RIKI ELLISON
Mendoj se kundërshtimi rus ka luajtur rol në këtë vendim. Administrata aktuale amerikane e përdor këtë ndryshim plani edhe si gjest për të çuar përpara bisedimet e nisura për çarmatimin.

Por, faktori më i rëndësishëm është përdorimi i një sistemi mbrojtës më të përhapur, siç është ai i vendosur në anijet luftarake, sistem me të cilin janë familjarë thuajse të gjitha vendet e NATO-s dhe që mund të përdoret me më shumë raketa. Kjo ofron një mbrojtje më të fuqishme se sistemi aktual.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, cilat janë vendet favorite ku mund të vendoset mburoja e re anti-raketore? A do të mbështesë lokacione të caktuara organizata juaj, e nëse po, cilat janë ato?

RIKI ELLISON

Zgjedhjet e reja janë ato që mund të godasin raketat e Iranit sa më shpejt që nga koha e lëshimit të tyre. Këto vendndodhje duhet të jenë pranë Iranit dhe pranë fundit apo jugut të Evropës, për të realizuar mbrojtjen e duhur për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

Këto vende konkretisht janë Izraeli, Turqia dhe vendet ballkanike. Tek këto të fundit futen Rumania, Bullgaria, Greqia dhe gjithë vendet e tjera pa përjashtim.

Këto janë lokacionet ideale. Ende nuk kanë filluar bisedimet zyrtare, por mendoj se këto janë vendet që do të ofronin mbrojtjen më të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një numër i vendeve ballkanike janë nën ndikimin rus apo kanë lidhje të forta ekonomike e politike me Moskën. Sa rol mund të luajë një gjë e tillë në përzgjedhjen e lokacioneve në Ballkan, kur dihet se Rusia është një nga kundërshtaret kryesore të planit në fjalë?

RIKI ELLISON
Këtu hyn në lojë marrëveshja me Rusinë për një vend të tretë, ndërkohë që hiqet dorë nga Polonia. Rusia duhet të mendojë e të zgjedhë nëse është më mirë për të që sistemi i mbrojtjes raketore të vendoset në Poloni apo në Ballkan.

Rusia do të preferojë një sistem mbrojtjeje për raketat me rreze të shkurtër e të mesme në Ballkan më parë sesa në Poloni.

Do të jetë në interesin e Rusisë ta pranojë këtë ofertë e këtu hyn në lojë arritja e ujdisë me Rusinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju mendoni se Rusia nuk do të kundërshtojë vendosjen e sistemit mbrojtës anti-raketor në cilindo vend ballkanik?

RIKI ELLISON
Rusia nuk ka zgjedhje apo, thënë ndryshe, mund të zgjedhë mes Polonisë dhe Ballkanit. Mendoj se Rusia do ta pranojë një propozim të tillë.

Propozimin në fjalë administrata Obama do t’ia paraqesë Rusisë muajin tjetër, kur do t’ia paraqesë zyrtarisht Moskës edhe zgjidhjen e kontinentit evropian për mbrojtjen nga sistemi i raketave balistike të Iranit.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht faktit se administrata aktuale amerikane po përpiqet t’i ulë tensionet me Rusinë, ekziston një element i pasigurisë dhe paparashikueshmërisë nga ana e Rusisë në politikën e jashtme. Në këto kushte, a mund të themi se vendet ballkanike me lidhje jo shumë të forta me Rusinë janë më favorite si vendndodhje për sistemin mbrojtës anti-raketor?

RIKI ELLISON
Mendoj se do të jenë shumë faktorë që do të luajnë rol në përcaktimin e lokacionit në Ballkan. Bëhet fjalë për një koncesion të jashtëzakonshëm që i bëjnë SHBA-të Rusisë nëse vendosin të tërhiqen nga Polonia dhe Çekia.

Kjo ka ndikim shumë të madh politik në Evropë dhe në ndikimin e Rusisë në kontinent. Mendoj se Ballkani do të duhet të jetë një lojtar i barabartë, në mënyrë që të mos ofendojmë vendet, të cilave u ishte premtuar vendosja e mburojës anti-raketore.

Ka shumë rëndësi dhe përfitime fakti që të vendosim e bëjmë funksional sistemin e mbrojtjes anti-raketore.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ka vend që shtetet e interesuara të lobojnë pranë administratës amerikane për të vendosur mbrojtjen raketore në vendet përkatëse?

RIKI ELLISON
Mendoj se po. Në momentin që do të shtyjmë përpara idenë e një vendndodhjeje të tretë, do të ketë vende, përveç Polonisë e Çekisë, që do të jenë të interesuara.

Ekziston mundësia që vende të ndryshme të dëshmojnë nivelin e mirë të marrëdhënieve me SHBA-të. Padyshim, Turqia do të jetë pika kyçe në planet e reja. Më pas vjen edhe Izraeli.

Në këto kushte është e rëndësishme që të bashkëpunohet me Rusinë dhe NATO-n, në mënyrë që t’u ofrohet të gjithëve zgjidhje dhe mbrojtje.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të bëhet përzgjedhja e lokacioneve të reja?

RIKI ELLISON
Mendoj se lokacionet e reja padyshim do të jenë Turqia, Izraeli dhe do të diskutohet se cili vend ballkanik është më i përshtatshëm për lokacionin e tretë.

Vendimi do të marrë së paku një vit. Muajin tjetër do të shihni deklaratën zyrtare për planet që të gjenden vendndodhje të reja për mburojën anti-raketore. Pas kësaj, për një vit do të kemi negociata dhe besoj se pas dy vjetësh do të merret vendimi përfundimtar.