Liderët e Kosovës, në një takim me krerët e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, kanë shprehur kundërshtimin ndaj Protokollit të Bashkëpunimit, të paralajmëruar që të nënshkruhet mes EULEX-it e Serbisë.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë zhvilluar një takim me shefin e ICO-së, Piter Feith, dhe atë të EULEX-it, Ive de Kermabon, në të cilin kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni.
“Në takim, liderët e Kosovës ritheksuan qëndrimin e prerë në kundërshtim të këtij protokolli dhe theksuan se me ditën e sotme mbyllet përfundimisht çdo debat dhe bisedë në këtë temë”, thuhet në deklaratën e përbashkët për media të liderëve të institucioneve.
“Institucionet e Kosovës janë institucione sovrane dhe rrjedhimisht marrin vendime sovrane në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Republika e Kosovës nuk merr asnjë obligim dhe përgjegjësi për çështjet, për të cilat nuk ka vendosur në mënyrë sovrane”, thuhet në deklaratë.
Ndryshe, krerët e institucioneve kanë theksuar përkushtimin e tyre që të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in dhe ICO-në në interes të të gjithë qytetarëve.
Në takim i është vënë theks edhe gjendjes në Mitrovicë, të cilën liderët e kanë quajtur të papranueshme.
Është kërkuar që të krijohet ambient i përshtatshëm dhe i papengueshëm për kthim në pronat e tyre dhe për rindërtimin e shtëpive për të gjithë qytetarët.
“Dhuna e demonstruar në Mitrovicë dhe demolimi i pasurisë së EULEX-it janë të papranueshme dhe institucionet dhe populli i Kosovës i dënojnë në mënyrën më të ashpër”, thuhet në komunikatën për media të institucioneve të Kosovës.