Në Afganistan u mbyllën kutitë e votimit për zgjedhjet presidenciale dhe këshillat krahinorë. Pjesëmarrja vlerësohet të jetë inkurajuese. Pavarësisht një ndalese të qeverisë mbi mbulimin e dhunës gjatë ditës së zgjedhjeve, një numër raportesh tregojnë se talibanët janë munduar që të përmbushin zotimin e tyre për prishjen e procesit zgjedhor. Ministria e Brendshme, megjithatë, tha se plani i saj i sigurisë ka funksionuar. Votimi i sotëm pritet të përcaktojë nëse presidenti aktual, Hamid Karzai, një favorit i madh, do të sigurojë fitoren në raundin e parë ndaj 30 kundër-kandidatëve të tjerë.
Afganistani votoi sot për zgjedhjet presidenciale dhe këshillat krahinorë. Votimi u zgjat një orë më shumë nga ç’ishte paraparë, për shkak të interesimit për të votuar.
Pak pas hapjes së qendrave të votimit, presidenti aktual, Hamid Karzai, kërkoi nga populli afgan të dilte në votime.
“Jam i sigurt që këto zgjedhje, dhëntë Zoti, do të jenë për paqe, përparim dhe për mirëqenien e popullit afgan. Kërkoj nga populli afgan që të dalë të votojë, në mënyrë që përmes votës së tij, Afganistani të bëhet më i sigurt, më paqësor dhe vend më i mirë”, tha Karzai, pasi hodhi votën e tij.
Me hapjen e kutive të votimit, sulme me raketa, të shtëna armësh dhe shpërthime bombash janë raportuar në kryeqytet dhe në rajonin jugor të Pashtunit, një tregues i fortë ky se talibanët synuan të përmbushin zotimin se do të prishnin procesin zgjedhor.
Para ditës së zgjedhjeve, Qeveria afgane imponoi një ndalesë për mediat e huaja dhe vendore mbi raportimin për dhunën gjatë ditës së votimit.
Përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Afganistan tha se është i kënaqur me progresin në zgjedhjet e sotme.
“Ka pasur disa sulme, por, në përgjithësi, niveli i tyre është më i ulët sesa druhesha”, tha Kai Eide.
Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet në Afganistan, është inkurajuese. Ai tha se janë hapur më shumë qendra të votimit sesa që pritej.
Presidenti aktual, Hamid Karzai, është favorit për të fituar mandatin e dytë pesëvjeçar, por i duhen 50 plus një për qind e votave për të fituar që në raundin e parë.
Sfida më e madhe për Karzain vjen nga ish-ministri i Jashtëm, Abdullah Abdullah. Ish-ministri i Planifikimit, Ramazan Bashardost, dhe ish-ministri i Financave, Ashraf Ghani, janë kandidatët kryesorë në mesin e 30 të tjerëve.
Abdullah u kërkoi sot votuesve që të sfidojnë kërcënimet e talibanëve për prishjen e zgjedhjeve, nga të cilat do të dalin edhe 420 këshilltarë krahinorë në 34 krahina.
“Jam i kënaqur që shumë njerëz po marrin pjesë në zgjedhje, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë dhe manipulimeve në zgjedhje. Njerëzit tanë po marrin pjesë gjithandej Afganistanit. Shpresoj që asnjë nga këto shqetësime të mos i pengojë njerëzit që të dalin në votime”, tha Abdullah.
Një fillim i ngadaltë këtë mëngjes ngjalli frikën se kërcënimi për dhunë do t’i mbante njerëzit larg kutive të votimit. Por, gjatë ditës, kishte indikacione se afganët, përfshirë edhe një numër të madh të femrave, do të hidhnin votën e tyre.
Parregullsitë që janë raportuar, kishin të bënin kryesisht me mungesën e pajisjeve për votues.
Ishal Supriadi është vëzhgues nga Rrjeti Aziatik për Zgjedhje të Lira. Ai thotë se nuk kanë pritur që standardet në Afganistan të jenë të njëjta me shtetet tjera të lira.
“Ne e shohim Afganistanin si zonë lufte, madje as zonë të pas-konfliktit, por zonë lufte. Pra, ne nuk mund të funksionojmë si misionet tjera në vende tjera. Siguria është shqetësimi ynë kryesor”, tha Supriadi.
Rreth 300 mijë trupa afgane dhe ndërkombëtare kanë ofruar sigurinë për procesin, megjithatë votimet nuk janë mbajtur në nëntë qarqe të kontrolluara nga talibanët.
Komisioni Qendror Zgjedhor tha se afër 6 mijë e 500 qendra votimi kanë qenë të hapura për votuesit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Zmarai Bashari, tha se plani i sigurisë ka funksionuar.
“Falë Zotit, plani i sigurisë që e kemi implementuar në Kabul dhe në pjesën tjetër të vendit, ka qenë funskional”, tha Bashari.
Në krahinat relativisht të qeta të Afganistanit raportohet se radhë të gjata të njerëzve kanë pritur para qendrave të votimit.
Atikullah Ludin, guvernator i provincës Logar në jug të Kabulit, tha se pavarësisht sulmeve me raketa në disa qarqe rurale, njerëzit kanë marrë pjesë në votime.
“Procesi i votimit ka nisur njëherazi në të gjitha qarqet e Logarit. Në disa qarqe, turma njerëzish mund të shiheshin duke pritur në radhë”, tha Ludin.
Ndryshe, një zëdhënës i misionit të OKB-së në Kabul ka thënë se pjesëmarrja në votime ka qenë inkurajuese.
Your browser doesn’t support HTML5