Ekspertë të ekonomisë parashikojnë që gjatë këtij viti të ketë rënie të investimeve të huaja në Kosovë. Sipas tyre, arsye e gjithë kësaj është kriza globale financiare, tërheqja e dy ofertuesve nga projekti “Kosova e Re”, si dhe mungesa e infrastrukturës ligjore dhe e korridoreve ndërkombëtare të transportit.
Gjatë këtij viti, interesimi i investitorëve ndërkombëtarë në Kosovë mund të jetë minimal. Kështu parashikojnë njohës të çështjeve ekonomike, sipas të cilëve, arsye e gjithë kësaj është tërheqja e dy ofertuesve mjaft të fuqishëm nga procesi tenderues për realizmin e projektit “Kosova e Re”. Shkak tjetër, sipas tyre, mund të jetë dhe kriza globale financiare dhe mungesa e infrastrukturës ligjore.
Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, pohon se këtë fakt duhet ta kenë parasysh institucionet vendore dhe të merren më seriozisht me përmirësimin e klimës ligjore, sepse, siç thotë ai, vendet e rajonit janë më të përgatitura për të joshur investitorët e huaj.
“Patjetër se do të ketë më pak investitorë, sepse ka më pak kapital në botë. Do të thotë, për shkak të krizës globale, tanimë investitorët kanë humbur shumë dhe ai pak kapital që është, do të investohet me shumë kujdes”.
“Kur të shohësh opsionet, të cilat i ke si investitor i jashtëm të investosh në vende të ndryshme, shtrohet pyetja - pse një investitor do të vinte në Kosovë, para se të shkonte në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi; do të thotë, të gjitha këto janë opsione për një investitor të jashtëm”, thotë Ahmeti.
Eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë se tërheqja e dy ofertuesve nga Kosova mund të ketë ndodhur për shkak të afektimit të tyre nga kriza globale financiare.
Sadiku thotë se nuk duhet pritur ndonjë kthesë të madhe në rritjen e numrit të investitorëve të jashtëm, meqenëse, sipas tij, institucioneve kosovare u mbetet mjaft për të punuar për ta bërë Kosovën, siç thotë ai, një vend miqësor për investime.
Zhvillimi i demokracisë dhe forcimi i institucioneve të ekonomisë së tregut janë korniza e asaj që Kosovën mund të bëjë destinacion të investimeve të jashtme, pohon Sadiku.
“Këtu, në radhë të parë, mendoj në aspektin qeverisës. Ne duhet të japim prova se dimë të qeverisim me resurset, të cilat i kemi në disponim, që dimë të bëjmë legjislacion. Ajo që në Kosovë është kritike, është implementimi i legjislacionit”, shprehet Sadiku.
Muhamet Sadiku, ndërkaq, përmend edhe një numër problemesh, të cilat ndikojnë në zbehjen e imazhit të Kosovës karshi investitorëve potencialë, të cilët kanë synuar të vijnë në Kosovë.
“Ajo që kërkohet nga Kosova, është që vërtet të forcojë shtetin ligjor, që investitorët të mos kenë frikë me rastin e prurjes së vendimeve për të investuar në Kosovë”.
“Është e nevojshme të vazhdohet me forcimin e projekteve të infrastrukturës. Do të thotë, Kosova ende mbetet e izoluar nga korridoret ndërkombëtare të transportit. Dhe, ajo që bie në sy, për të cilën të gjithë jemi duke shprehur shqetësimet tona, është përmirësimi i furnizimit me energji elektrike”, thotë Sadiku.
Por, pavarësisht këtyre problemeve, Shpend Ahmeti shpreh bindjen se investitorët potencialë mund të investojnë në shumë fusha në Kosovë, pasi, siç thotë ai, industria e prodhimit është në minimum.
Për këtë, ai thotë se institucionet vendore duhet të shikojnë mundësinë e reklamimit të hapësirës ekzistuese të Kosovës, në mënyrë që të tërhiqen investitorët e fuqishëm.
“Kosova e ka një të mirë; në Kosovë mund të bësh pothuajse çdo gjë, sepse asgjë nuk ka. Do të thotë, prodhimtaria është në minimum, ne nuk prodhojmë asgjë, ne i importojmë të gjitha. Dhe, këtu ofrohen shumë mundësi, pothuajse është një tabelë e pastër, ku një investitor mund të vijë”.
“Ne shohim shumë hotele në Kosovë, por nuk ka asnjë hotel prej zinxhirëve botërorë, që i kanë shtetet tjera”, thotë Ahmeti.
Ndryshe, një strategji për tërheqjen e investimeve të huaja, e përgatitur nga ekspertë vendorë dhe ata të Bankës Botërore, sipas autoriteteve përkatëse, pritet të publikohet muajin e ardhshëm. Më anë të kësaj strategjie, sipas ekspertëve, ndoshta do të mundësohet tërheqje më e madhe e investitorëve të huaj në Kosovë.