Klinton dhe dy gazetaret arrijnë në SHBA

Dy gazetaret amerikane, të cilat u liruan nga Koreja Veriore, pas disa muajsh burg, janë kthyer në Shtetet e Bashkuara, nën shoqërimin e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, i cili siguroi lirimin e tyre pas një takimi me liderin verikorean, Kim Jong-Il.

Laura Ling, 32 vjeçe dhe Euna Li, 36, kanë arritur me një aeroplan privat në një aeroport në Los Anxhellos.

Laura Ling shprehi “falënderimet më të thella” për Klintonin dhe ekipin e tij.

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se ndjen një “lehtësim të jashtëzakonshëm” për shkak të kthimit të dy gazetareve.

Megjithatë, administrata Obama bëri të qartë se nuk ka ofruar ndonjë stimulim lidhur me mospajtimet me Perëndimin për programin bërthamor të Koresë Veriore.