Trupi udhëheqës i NATO-s miratoi sot një plan për riorganizimin e strukturës komanduese të aleancës në Afganistan dhe krijoi një seli të re qendrore për operacionet e përditshme të luftës.
Zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apaturaj, tha se selia e përbashkët qendrore do të udhëhiqet nga gjenerali amerikan, Dejvid Rodriges.
Takimi i sotëm ishte i pari, i cili u drejtua nga sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.
Struktura e re komanduese do të kontrollojë 64 000 ushtarët që veprojnë në kuadër të Forcës Asistuese Ndërkombëtare të Sigurisë të udhëhequr nga NATO-ja, por nuk do të ketë kontroll mbi një kontigjent amerikan të përbërë nga 10 000 ushtarë që janë të vendosur në kufi me Pakistanin.
Struktura e re komanduese i ngjan asaj që është zbatuar në Irak.