Britania, SHBA të përkushtuara për Afganistanin

Britania dhe Shtetet e Bashkuara thonë se mbesin të përkushtuara për Afganistanin, përkundër rritjes së numrit të viktimave në radhët e trupave të tyre.

Sekretari i jashtëm britanik, Dejvid Miliband, tha se ishte “një fazë e ashpër” për të gjitha trupat britanike në Afganistan, por ai beson se opinioni britanik e mbështet këtë mision.

Këto komente ai i bëri në Uashington, pas takimit me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, e cila tha se të dy shtetet mbesin të përkushtuara për Afganistanin.

Vetëm gjatë këtij muaji në Afganistan janë vrarë 22 ushtarë britanikë dhe 39 pjesëtarë të ushtrisë amerikane.