Reduktimet e energjisë në zonat rurale

Kosova A

Përveç kryeqytetit, lokalitetet tjera, posaçërisht viset rurale, vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike. Sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo është politikë e institucioneve kompetente, në mënyrë që të ruajnë pakënaqësitë e mundshme sociale. Ndërkaq, zyrtarë të KEK-ut thonë se rrymë kanë vetëm ata që e paguajnë.

Muhamet Shala, nga fshati Kopiliq, Komuna e Skenderajt, thotë se banorët e kësaj ane vazhdimisht përballen me mungesë të energjisë elektrike, pavarësisht asaj se a është sezon i verës apo i dimrit. Madje, reduktimet e energjisë elektrike arrijnë deri në pesë orë, pohon ai.

“Ne kemi mungesë të rrymës rregullisht. Ne jemi një fshat i shkapërderdhur kodrino-malor dhe për ne nuk është i interesuar askush. Problemi është se shumica e paguajnë dhe nuk kanë rrymë. Por, një pjesë nuk kanë buxhet dhe nuk kanë të ardhura për të paguar energjinë e shpenzuar”, thotë Shala.

Shumica e zonave rurale në Kosovë ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike. Gjendje më stabile është vetëm në kryeqytet, ku ndërprerja e energjisë ndodh në rast të ndonjë prishjeje eventuale.

Një gjë të tillë, ekspertët për çështje ekonomike e konsiderojnë si politikë të strukturave qeverisëse dhe Korporatës Energjetike të Kosovës. Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, pohon se institucionet kompetente kanë gjetur këtë mënyrë për të ruajtur, siç thotë ai, qetësinë e popullatës për pakënaqësitë e mundshme sociale.

“Gjithmonë mendoj se është edhe politikë, nuk them vetëm e KEK-ut, por edhe e strukturave qeverisëse të Kosovës, që të ketë një qetësi më të madhe, që së paku nëse sigurohet energjia elektrike për Prishtinën, atëherë një të katërtën e popullatës e ke të kënaqur me energji elektrike dhe natyrisht edhe pakënaqësitë me KEK-un apo me situatën me rrymë zbuten sadopak”, thotë Ahmeti.

Zoti Ahmeti vlerëson se kjo mënyrë e furnizimit me energji elektrike i diskriminon qytetarët e zonave rurale. Sipas tij, ky është një problem që kërkon zgjidhje të shpejtë.

“Po të dilni nga Prishtina, posaçërisht të shkohet në zona rurale, e shihini se problemet me energji elektrike janë më të mëdha. Ka vise të banuara që nuk kanë rrymë deri në tri javë në këtë periudhë dhe këto janë probleme. Mendoj se është një diskriminim, i cili duhet të diskutohet dhe të shihet se si të përmirësohet”, shprehet Ahmeti.

Por, me këtë nuk pajtohen zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës. Zëdhënësi i kësaj kompanie, Viktor Buzhala, thotë se mungesa e energjisë në zonat rurale nuk është politikë e askujt dhe as diskriminim, por, siç thotë ai, zbatim i planit ABC.

Arsye e mungesës së energjisë në zonat rurale është mospagesa e faturave të shpenzuara dhe humbjeve komerciale, pohon Buzhala.

“Nuk është e vërtetë. Kategorizimi ABC nuk bëhet në bazë të lokaliteteve të caktuara, por bëhet në bazë të nivelit të pagesës në atë dalje apo në atë lokalitet dhe në bazë të nivelit të humbjeve komerciale. Aty nxirret mesatarja dhe krijohet kategorizimi ABC. Kryeqyteti ka nivelin më të lartë të pagesave dhe nivelin më të ulët të humbjeve”, deklaron Buzhala.

Korporata Energjetike e Kosovës, nga ekspertët ekonomikë konsiderohet si njëra nga kompanitë më të pasuksesshme në Kosovë, e cila, siç thuhet, edhe 10 vjet pas luftës, nuk ka mundur të përmirësojë furnizimin me energji elektrike ndaj konsumatorëve.