Miçell: Ka progres në bisedime me Izraelin

Emisari amerikan për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçell, tha se është bërë “progres i mirë” në bisedimet me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu, mbi konfliktin izraelito-palestinez.

Takimi, i cili u fokusua në çështjen e vendbanimeve izraelite në territorin e palestinezëve, është pjesë e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të rifilluar bisedimet e ngecura për paqe në Lindjen e Mesme.

Kohë më parë, kreu i ekzekutivit izraelit, Netanjahu, kishte refuzuar kërkesën e Uashingtonit për ndalimin e zgjerimit të vendbanimeve, gjë që kishte shkaktuar tensione ndërmjet dy vendeve.

Në kuadër të turneut të tij katërditor në rajon, Miçell vizitoi poashtu Sirinë, Egjiptin dhe Bregun Perëndimor, duke u bërë kështu, zyrtari i tretë amerikan i cili ka vizituar Izraelin dhe rajonin gjatë kësaj jave.