Ambasadorët presin presidentin

Kosova ende s'i ka përfunduar të gjitha procedurat për kompletimin e shërbimit diplomatik për 18 ambasadat, që mëtohen të funksionalizohen gjatë këtij viti. Përzgjedhja e ambasadorëve, e stafit diplomatik e konsullor thuhet se është në fazën finale.

Emërimi i ambasadorëve të parë të Kosovës dhe përzgjedhja e stafit diplomatik dhe konsullor, sipas përfaqësuesve të institucioneve, është në fazën finale. Ndërsa, opozita kritikon presidentin dhe qeverinë për, siç thuhet, hapa të ngadalshëm dhe zvarritje të panevojshme të këtij procesi. Janë 18 ambasada që pritet të funksionalizohen sivjet.

Pas përfundimit të procedurave paraprake, mbetet te presidenti Fatmir Sejdiu që të përcaktohet përfundimisht për emrat e ambasadorëve dhe menjëherë pas të kërkojë edhe pëlqimet nga vendet përkatëse.

Mirëpo, Sejdiu aktualisht është në pushime dhe vetëm pas kthimit të tij dhe konsultimeve shtesë që do t’i ketë me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, pritet të bëhen këto emërime.

Kjo konfirmohet nga zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, i cili sqaron në vijim se si rrjedh procedura finale e emërimit të ambasadorëve.
Presidenti duhet të japë pëlqimin për propozimet që kanë ardhur ...

“Faktikisht, presidenti duhet të japë pëlqimin për propozimet që kanë ardhur. Mandej, të caktohen kandidatët potencialë ose të propozuarit për ambasadorë apo konsuj në vendet përkatëse, çohet kërkesa te ato vende që të japin pëlqimin e tyre dhe kur marrim pëlqimet, atëherë presidenti e jep pëlqimin për akreditim”, tha Beqiri.

Në anën tjetër, opozita kritikon presidentin dhe qeverinë për zvarritje. Avni Arifi, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se zvarritjet po japin një imazh të keq për Kosovën, ndërkaq shpreh dyshime që përzgjedhja e ambasadorëve është bërë mbi kriteret e përcaktuara me konkurs.

Ai thotë se përzgjedhja është bërë në bazë të preferencave politike.
I tërë procesi është manifestuar me pohimet se njerëzit dihet se kush do të jenë, kurse konkursi është vetëm një formë për t’u dhënë legjitimitet veprimeve veç të përcaktuara.

“Kanë qenë vonesa definitivisht të panevojshme. I tërë procesi është manifestuar me pohimet se njerëzit dihet se kush do të jenë, kurse konkursi është vetëm një formë për t’u dhënë legjitimitet veprimeve veç të përcaktuara. E tërë esenca këtu është se çfarë imazhi ne po reflektojmë, se si do të duket Kosova përpara mekanizmave ndërkombëtarë”, theksoi Arifi.

Ndërsa emërimi i ambasadorëve pret kthimin e presidentit Sejdiu nga pushimet, në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë duke u përzgjedhur stafet civile për 18 ambasadat e Kosovës.

Këshilltari i lartë në Ministrinë e Jashtme, Kujtim Shala, thotë se ka mbi 400 kandidatë që konkurrojnë për postet civile nëpër ambasadat e Kosovës. Ai thotë se të premten kandidatët do t’i nënshtrohen testimit dhe më pas do të pasojnë procedurat e intervistimit deri te emërimi i stafit të nevojshëm për secilën nga 18 ambasadat.

Shala thotë se emërimet civile nuk kanë nevojë të presin emërimet politike të ambasadorëve nga ana e presidentit.

“Të gjithë ata kandidatë që i plotësojnë kushtet, janë thirrur për të premten për të hyrë në test. Testi është me shkrim. Ka mbi 400 persona, por ka prej atyre që kanë aplikuar në dy pozicione, domethënë edhe si pjesë e personelit diplomatik, por edhe në shërbimet konsullore, kështu që i afrohet numrit 600, flasim për aplikacione”, pohon Shala.

Vitin e kaluar, me një vendim të presidentit të Kosovës qenë hapur dhjetë ambasadat e para. Por, në mungesë të ambasadorëve, atje ishin dërguar të ngarkuarit me punë dhe sekretarët e parë të ambasadave.

Këtë vit është vendosur të hapen edhe tetë ambasada tjera, ndërkaq mbetet si mundësi e përhershme që nëse Maqedonia dhe Mali i Zi kanë interesim, numri i ambasadave të Kosovës të rritet nga 18 në 20 sosh.