“Në këtë bashkëqeverisje (PD-LSI) shoh dy figura shumë të forta të politikës shqiptare - Sali Berishën, figura më e fortë e së djathtës, dhe Ilir Metën, një nga figurat më të forta të së majtës - figura të forta, të cilat kanë tipare të burrave të shtetit dhe që kanë aftësi dhe mundësi t'i respektojnë marrëveshjet që bëjnë", thotë Dritan Prifti, nënkryetar i LSI-së, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Prifti, ju ishit i pari që i ofruat Partisë Demokratike mandatin e deputetit për të votëbesuar qeverinë. A jeni penduar në raport me elektoratin që përfaqëson Lëvizja Socialiste për Integrim?
DRITAN PRIFTI
Në fakt, ndjehem i kënaqur dhe nuk kam asnjë lloj pendese, sepse elektorati jonë votoi për LSI-në që LSI-ja të shkonte në qeverisje. Realisht, atë që ia premtuam elektoratit, se do të shkonim në pushtet, e realizuam.
Jemi duke negociuar një marrëveshje bashkëqeverisjeje me Partinë Demokratike. Unë, në fakt, mund të kem marrë me mijëra mesazhe gjatë periudhës së deklaratave të para e deri më sot dhe mund të veçoj 6-7 mesazhe që kanë qenë kundër kësaj lëvizjeje dhe të gjitha të tjerat kanë qenë në mbështetje.
Njerëzit që kanë mbështetur LSI-në, kanë qenë kryesisht shtresa në nevojë, shtresa njerëzish të papunë, njerëzish që kanë nevojë për një qeverisje më të mirë dhe pothuajse shumica e tyre, edhe për shkak të interesave të tyre personale apo familjare, janë që LSI-ja të përfshihet në qeverisje.
Ata e shohin një qeverisje të djathtë dhe të majtë, të balancuar dhe të kontrolluar, nga të dy krahët e shohin si garancinë më të mirë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur problemet e tyre ekonomike, familjare, personale.
RADIO EVROPA E LIRË
Sa të vështirë e shikoni bashkëqeverisjen me kryeministrin Sali Berisha? Kam parasysh këtu akuzat e ndërsjella... Do ta pranoni Berishën si kryetar të qeverisë, pjesë e së cilës do të jetë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim?
DRITAN PRIFTI
Në qoftë se do të ndodheshim në kushte të tjera, ne mund të negocionim edhe për kryeministrin. Por, në kushtet kur Partia Demokratike ka 70 mandate, pra ka gjysmën e mandateve në Parlament, dhe ne i ofrojmë asaj vetëm katër mandate, unë nuk mendoj se është e moralshme që t’i kërkohet kryeministri kësaj force.
Në fakt, nuk do të ishte e moralshme edhe nëse ne do të bashkoheshim me Partinë Socialiste – Partia Socialiste të kishte më shumë mandate se ne dhe ne t’i kërkonim kryeministrin.
Tashmë është bërë një standard ndërkombëtar që edhe në rastet e koalicioneve të majta dhe të djathta, apo koalicioneve me bazë të gjerë, kryeministrin e merr forca e parë brenda koalicionit, pra forca që ka më shumë mandate brenda koalicionit. Kështu që ne nuk kemi në plan të kërkojmë të bëjmë një koalicion me probleme që në nisje.
Ne nuk mund të pretendojmë të marrim kryeministrin me katër mandate në Kuvend; ai i takon Partisë Demokratike. Pastaj, Partia Demokratike do të vendosë dhe emrin e kryeministrit, që besoj se normale është të jetë Berisha.
Unë nuk e shoh fare problematike bashkëqeverisjen me Berishën. Berisha, pavarësisht se është një lider i fortë, pavarësisht se është një lider kontrollues, të paktën brenda forcës së vet politike, ai ka treguar gjithashtu se di të qeverisë në koalicion.
Berisha ka pasur në koalicion parti, të cilat nuk e kanë pasur peshën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në elektorat apo peshën e këtyre mandateve për të ndarë shumicën në qeverisje.
Ai ka pasur në koalicion partinë e Genc Pollos, në një kohë kur Genc Pollo atij i ka vjedhur siglën në vitin 2001, ka dalë me siglën e PD-së në zgjedhje dhe i ka marrë PD-së 8 për qind. Dhe, Berisha diti t’i gjente forcat, të ngrihej mbi problematikën e së shkuarës, mbi ndarjet e tyre, e përfshiu atë në qeverisje, e bëri dhe zëvendëskryeministër, e vuri dhe të parin në listën e një qarku.
Ai ka bashkëqeverisur me Partinë Agrare Ambientaliste të Xhuvelit, kur nuk kishte nevojë ta kishte atë në koalicion. Ka bashkëqeverisur me partinë e Ndokës, kur e kishte shumicën dhe nuk e kishte aq të nevojshme pasjen e tyre në koalicion.
Në këto shembuj të së shkuarës, Berisha ka treguar se kur e hedh firmën në një marrëveshje, ai di ta mbajë, pra di të jetë i përgjegjshëm për të respektuar formën që ka hedhur, për të respektuar marrëveshjen.
Janë bërë disa takime me përfaqësues të koalicionit të Partisë Demokratike, edhe personalisht me zotin Berisha. Ne kemi marrë garanci të plota që bashkëqeverisja me të do të jetë stabël, do të jetë joimponuese, do të jetë konsensuale, pra vendimet kryesore politike apo ato që do të jenë të një rëndësie të veçantë gjatë qeverisjes në katër vjetët e ardhshëm, do të merren mes dy palëve me konsensus.
Çështjet politike, që do të jenë të një profili të lartë gjatë katërvjeçarit, do të diskutohen mes dy partive kryesore të koalicionit dhe do të zgjidhen me konsensus. Pra, ndonjë draft-marrëveshje, që i është paraqitur Partisë Demokratike – të gjitha këto çështje merren parasysh dhe zgjidhja e tyre propozohet të jetë me konsensus mes dy kryetarëve të partive respektive.
Unë nuk e shoh problematike, sepse fola për historinë e Berishës, por mund të flas edhe për historinë e Ilir Metës. Ilir Meta është një njeri, i cili i ka respektuar të gjitha koalicionet e së shkuarës.
Në çdo rast që ai ka firmosur një marrëveshje koalicioni, ai ka qëndruar besnik, e ka respektuar atë, pavarësisht kostove personale apo kostove të partisë së tij, pra të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Unë përmend këtu koalicionin e fundit me partitë e majta, atë që i dha mandatin Edi Ramës në 2007-ën në bashkinë e Tiranës. Ilir Meta, pavarësisht marrëdhënieve me Ramën, pavarësisht problematikës së marrëdhënieve të tyre, intrigave që bëheshin prapa krahëve nga Edi Rama, diti të luftojë fort për të respektuar atë koalicion dhe atë marrëveshje.
Kështu që unë shoh në një bashkëqeverisje dy figura shumë të forta të politikës shqiptare – Sali Berishën, figura më e fortë e së djathtës, dhe Ilir Metën, një nga figurat më të forta të së majtës – figura të forta, të cilat kanë tipare të burrave të shtetit dhe kanë aftësi dhe mundësi që t’i respektojnë marrëveshjet që bëjnë.
RADIO EVROPA E LIRË
Një bashkëqeverisje që mund të shtrihet edhe më tej – a mund të ketë një koalicion PD-LSI për zgjedhjet e pritshme lokale?
DRITAN PRIFTI
Po, do të kemi një koalicion PD-LSI dhe për zgjedhjet lokale. Koalicioni që do të formohet mes PD-së dhe LSI-së, besoj nga fundi i gushtit, është një periudhë katërvjeçare, brenda së cilës janë dhe zgjedhjet e pushtetit vendor të 2011-ës, zgjedhja e presidentit apo çështje të tjera të rëndësishme politike, që do të jenë brenda katërvjeçarit.
Do të jetë një koalicion, i cili nuk do të ndahet për asnjë çështje politike apo elektorale në katër vjet.
RADIO EVROPA E LIRË
Nga mënyra se si flisni, duket pothuaj i pamundur bashkëpunimi me Partinë Socialiste. Çfarë do ta kthente Lëvizjen Socialiste për Integrim në shtratin e vet natyral, në bashkëpunim me të majtën?
DRITAN PRIFTI
Problemi numër një atje është Edi Rama dhe disa njerëz që janë rreth tij, të cilët, për vite me radhë, kanë punuar jo për fitoren e së majtës, jo për bashkimin e së majtës, por për asgjësimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Derisa në krye të Partisë Socialiste të jetë Edi Rama, të jenë njerëz si Fatmir Xhafa, Gramos Ruçi e ca persona të tjerë, nuk besoj se do të ketë ndonjëherë ndonjë bashkëpunim elektoral PS-LSI.
Nëse këta njerëz do të largohen nga drejtimi i kësaj partie, nëse ajo parti do t’i shtrijë dorën e miqësisë Lëvizjes Socialiste për Integrim, për t’i korrigjuar padrejtësitë e së shkuarës, sigurisht që aleancat tona më natyrale janë majtas. Ne jemi Lëvizje Socialiste për Integrim, një forcë politike e qendrës së majtë dhe aleancat tona më natyrale do të jenë majtas, por sigurisht pas katër vjetësh.
Pasi të firmosim marrëveshjen me Berishën, nuk do të ketë asnjë lëkundje nga kjo marrëveshje, të paktën për katërvjeçarin e parë qeverisës. Nëse te Partia Socialiste do të gjejmë ndryshimet e duhura në këtë katërvjeçar, në përfundim të këtij katërvjeçari, mundet që pas katër vjetësh të gjendet përsëri në të njëjtin koalicion, pra në një koalicion të përbashkët të së majtës.
RADIO EVROPA E LIRË
Po nëse Rama nuk dorëhiqet?
DRITAN PRIFTI
Nëse Rama nuk dorëhiqet, nuk do të ketë asnjë shpresë bashkëpunimi mes PS-së dhe LSI-së, aq kohë sa ai të jetë në krye të Partisë Socialiste.
RADIO EVROPA E LIRË
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dha si arsye kryesore të bashkëpunimit me Partinë Demokratike mënjanimin e krizës. Por, a ishte kjo një lëvizje për të krijuar terrenin e duhur për shkatërrimin politik të Edi Ramës?
DRITAN PRIFTI
Jo, jo, vendimi nuk është marrë për shkak të armiqësive personale apo goditjeve personale ndaj një individi. Vendimi është marrë me një përgjegjësi të lartë politike, por edhe atdhetare, ashtu siç e ka shprehur dhe Ilir Meta në deklaratën e tij për të pranuar ftesën e Berishës për negociata për koalicionin.
Sigurisht që në kushtet që ne ndodhemi, në qoftë se mandatet tona do t’i bashkoheshin Partisë Socialiste, e majta nuk do të kalonte 70 deputetë, sepse 70 deputetë janë të fiksuar tashmë që janë në të djathtën. Bashkimi i mandateve tona me Partinë Socialiste nuk do të sillte asnjë gjë për vendin, përveçse krizë.
Ilir Meta ka shprehur që bashkëpunimi Rama – Meta sjell krizë dhe ka parasysh që bashkëpunimi ndërmjet mandateve tona në Kuvend nuk e tejkalon impasin parlamentar, pra mbetet në një ngërç, i cili do të sjellë ose një qeveri të gjerë, që nuk do të jetë qeveri, do të jetë formale, por nuk do të jetë qeveri që do të qeverisë vendin në këto kushte të rënda të krizës ekonomike.
Kurse, bashkimi me votat e Partisë Demokratike sjell stabilitet, sjell integrim, sjell zhvillim, sjell shpresa për të tejkaluar situatën e vështirë ekonomike, sepse votat shkojnë në 74, përqindjet në Parlament shkojnë në 53% dhe mazhoranca është shumë e qartë, është shumë e pastër.
Kështu që vendimi nuk ka të bëjë me persona të veçantë, pavarësisht se mund të duket kështu në një situatë të tensionuar paszgjedhore, ku Partia Socialiste ka qenë parti, e cila ka pasur një plan asgjësues për LSI-në.
Vendimi politik është marrë mbi interesa shumë më të gjëra se kaq, mbi interesa kombëtare, mbi interesa të integrimit të vendit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të tij.
RADIO EVROPA E LIRË
Analistë thonë se nëse gjatë këtij katërvjeçari Edi Rama dorëhiqet nga kryetari i Partisë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim do të shkaktojë krizë qeveritare, duke u larguar prej saj. Ka diçka të vërtetë në këtë opinion?
DRITAN PRIFTI
Jo, unë po ju them këtë gjë, që marrëveshja jonë me Partinë Demokratike në bashkëqeverisje do të jetë katërvjeçare dhe çfarëdo që të ndodhë në Partinë Socialiste këto katër vjet, nuk do të ketë asnjë devijim nga LSI-ja nga marrëveshja e bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike. Do të jetë për katër vjet, asnjë ditë më pak se katër vjet.
RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë kabinetet që do t’i drejtojë Lëvizja Socialiste për Integrim në qeverinë e re? Do të kërkoni po aq ministri sa ç’keni edhe mandate?
DRITAN PRIFTI
Nuk është thjesht çështje numrash – sa mandate kemi, aq ministri të kërkojmë. Ne do të kërkojmë që të jemi një forcë reale bashkëqeverisëse. Pra, një forcë që të marrë vendime në këtë qeveri, pavarësisht numrit të ministrive, apo portofolave ministrorë që do të drejtojë forca jonë.
Duke qenë forcë reale, do të thotë që shumica e vendimeve të rëndësishme ekonomike, me impakt të madh ekonomik, apo e vendimeve politike, në të cilat do të përfshihet qeveria, të jenë me konsensus; pavarësisht numrit të mandateve, pavarësisht numrit të portofolave, të jenë me konsensus.
Të paktën deri tani në negociata, nuk kemi hyrë te numri i ministrive, të cilat do t’i drejtojmë, por jemi përqendruar te pjesa programore e aleancës. Kemi vënë disa kushte që janë të rëndësishme për programin e LSI-së, janë të rëndësishme për votuesin e LSI-së, që është votues i majtë.
Për shembull, kemi vënë një kusht për ndryshimin e kodit zgjedhor, jo të sistemit zgjedhor, jo të Kushtetutës, por të kodit, për të bërë përmirësim të kodit, edhe për pjesën e administrimit, pra prezenca me komisionarë edhe e LSI-së, ose depolitizimi i plotë i të gjitha komisioneve - asnjë parti të mos ketë akses në komisione, por ato të jenë të pavarura.
Nëse do të mbeten politike, ne kemi marrë garanci nga Partia Demokratike që Lëvizja Socialiste për Integrim, si forca e tretë politike në vend, do të jetë e përfaqësuar në këto komisione.
Kemi kërkuar gjithashtu të ketë një korrektim kombëtar në sistemin zgjedhor. Nëse kemi parasysh sot, Partia Socialiste apo Partia Demokratike ka marrë një deputet me 10 mijë vota në Kuvend, LSI-ja e ka sot një deputet me 21 mijë vota në Kuvend dhe kjo është e padrejtë. Nuk kemi kaluar akoma te ndarja konkrete e portofolave ministrorë.
RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, kur pritet të ndodhë kjo?
DRITAN PRIFTI
Do të ndodhë besoj në dyjavëshin e fundit të gushtit. Kryeministri Berisha na ka kërkuar një mirëkuptim që këtë pjesë të negociatave ta kemi në fund të gushtit, për të mos ndikuar kjo në punën aktuale të ministrave, apo të qeverisë aktuale.
Në qoftë se do të negociohen tani, në qoftë se do të shpallen tani drejtuesit e ardhshëm të portofolave ministrorë, do të ketë dekurajim të atyre ministrave, të cilët nuk do të jenë në qeverinë e ardhshme dhe kjo nuk i intereson as vendit dhe askujt.
Nuk na intereson që edhe për një muaj të bjerë ritmi i qeverisjes, sepse situata ekonomike është shumë e vështirë dhe për mendimin tim pritet dhe të përkeqësohet.