Amano: Irani dallon nga Korea Veriore

Drejtori i ardhshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Jukija Amano, i cili pritet të marr këtë post në muajin nëntor, tha se rasti i Iranit dallon nga ai i Koresë Veriore për shkak se Teherani nuk është tërhequr nga marrëveshja për kufizim të armëve bërthamore.

Agjencia e lajmeve AFP citon Amanon të ketë thënë se Irani lejon inspektimin e objekteve bërthamore nga ana e Kombeve të Bashkuara.

Korea Veriore, ndërkaq, është tërhequr nga marrëveshja për kufizimin e armatimit bërthamor në vitin 2003.

Amano u zgjodh drejtor i ANEB-it në fillim të muajit korrik dhe pritet që në nëntor ta zëvendësoj drejtorin e deritashëm të këtij institucioni, Mohamed El Baradej.