Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka vlerësuar se trafikimi me qenie njerëzore ka marrë përmasa shqetësuese. Ndërkaq, përpjekjet për të luftuar këtë dukuri nga autoritetet kompetente, nuk kanë qenë në harmoni me intensitetin dhe dinamikën e zhvillimit të trafikimit.
Trafikimi me qenie njerëzore, edhe pse është dukuri e re në Kosovë, viteve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese.
Kështu vlerësojnë zyrtarë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, sipas të cilëve, trafikimi dhe prostitucioni i femrave është shkelje e rëndë e dinjitetit dhe e të drejtave të njeriut.
Halime Morina-Lupçi, koordinatore për çështje gjinore në KMDLNJ, thotë se dukuria e prostitucionit tash për tash në Kosovë ka karakter kryesisht importues.
“Ato që merren me prostitucion, vijnë nga vendet e ndryshme, ndërsa ata që i shtyjnë, i mashtrojnë ato vasha që të merren me prostitucion, janë kryesisht vendorë. Kosova është vend transit për femrat e trafikuara, mirëpo edhe destinacion për femrat e trafikuara”.
“Prostitucioni te ne nuk ndodh publikisht, por, në të shumtën e rasteve, është i kamufluar në lokale të ndryshme, si kafene, kafiteri, pansione apo bujtina private”, thotë zonja Morina-Lupçi.
Ajo thotë se në shumicën e rasteve femrat janë të detyruara me dhunë që të merren me prostitucion. Mosha e femrave të përfshira në këtë dukuri, zonja Morina-Lupçi pohon të sillet nga14 deri në 50 vjeç.
“Ka raste kur femra është e detyruar të merret me prostitucion, raste të dhunimit klasik, raste të përdorimit të dhunës fizike e psikike dhe raste të tjera. Por, ne, përveç që përmbushim anën morale, nuk kemi ndonjë mekanizëm tjetër për të parandaluar këtë dukuri“, deklaron zonja Morina-Lupçi.
Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, këtë dukuri më së miri mund ta parandalojë dhe luftojë Policia e Kosovës.
Zonja Morina-Lupçi thotë se policia ndërkombëtare e ka shumë të vështirë ta luftojë prostitucionin, ngase, sipas saj, ndërkombëtarët nuk njohin njerëzit, mentalitetin dhe mjedisin ku veprojnë.
“Policia e Kosovës do të mund të punonte shumë më lehtë për të luftuar prostitucionin, ngase njeh mentalitetin e njerëzve, njeh terrenin dhe ka motiv për këtë. Trafikimi i femrave dhe prostitucioni janë padyshim fyerje dhe shkelje më e rëndë e dinjitetit njerëzor dhe e të drejtave njerëzore”.
“Luftimi i kësaj dukurie është me interes dhe në interes për të gjithë. Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Mitrovica janë qytete shumë ‘aktive’ në organizmin e prostitucionit. Ne dëgjojmë dhe lexojmë shumë për femrat e trafikuara, të dhunuara, por shumë pak flitet për klientët e tyre që janë po ashtu një problem” shprehet zonja Morina-Lupçi.
Ndërkaq, Sabrije Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, pohon angazhimin maksimal për luftimin e kësaj dukurie. Ajo thotë se vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, policia ka arrestuar 24 persona, të dyshuar si të përfshirë në këtë dukuri, ndërkaq ka identifikuar 6 viktima.
“Që nga periudha janar-prill 2009, janë mbyllur 18 lokale, janë bërë 24 arrestime, ku nga këto 14 kanë qenë kosovarë, 5 ukrainas, 3 bullgarë dhe një serb nga Kosova. Gjithashtu janë identifikuar edhe 6 viktima, të cilat janë asistuar nga policia – 4 kosovare, një moldave dhe një shqiptare”, bëri të ditur Kamberi.
Sidoqoftë, duke e përcjellë dinamikën e zhvillimit të këtij fenomeni, KMDLNJ konsideron se masa më efikase për parandalimin dhe përshkallëzimin e këtij fenomeni, është legalizimi i shtëpive publike.
“Në këtë mënyrë shteti do të kishte më shumë kontroll dhe në anën tjetër do të zvogëlohej interesimi për një veprim ilegal, nëse kjo veprimtari do të mund të legalizohej. Në të kundërtën, Kosova nuk ka kapacitete që në mënyrë efikase të merret me luftimin e kësaj dukurie të shëmtuar të kohës”, thotë zonja Morina-Lupçi.
Ndryshe, sipas të dhënave në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim, që datojnë nga viti 1999 deri në vitin 2008, IOM ka asistuar rreth 466 viktima të huaja dhe 123 viktima vendore.
Shqetësues në këtë aspekt mbetet fakti se ka filluar të zvogëlohet numri i viktimave të huaja, ndërkaq dukshëm është rritur numri i viktimave kosovare.