Xhekson - vrasje apo mbidozim?

Kryeshefi i policisë në Los Anxhellos, Uiliam Braton, tha se hetimi i rrethanave të vdekjes së Majkëll Xheksonit mund të fitojë karakter kriminal.

Deklarata e tij për televizionin CNN cilësohet si indikacioni më i qartë, deri më tani, se disa nga mjekët që kanë trajtuar Xhekson gjatë viteve të fundit mund ta kenë ndihmuar atë në mënyrë të paligjshme në marrjen e recetave për barna të rrezikshme, të cilat dyshohet se kanë ndikuar në vdekjen e tij.

“Ne po presim vërtetimin e zyrës për Mjekësi Ligjore rreth shkakut të vdekjes”, tha Breton, duke theksuar: “Kjo do të varet shumë nga raportet për kontrollet toksikologjike, mbi bazën e të cilave do të kemi një ide rreth çështjeve si: a kemi të bëjnë me një vrasje ose me mbidozë aksidentale të barnave?”

Ylli i muzikës pop, Majkëll Xhekson, vdiq më 25 qershor.