Opozita bojkoton fjalën e Sejdiut

Kuvendi i Kosovës

Dy parti opozitare, AAK dhe LDD, kanë bojkotuar fjalimin vjetor të presidentit Fatmir Sejdiu, të mbajtur para Kuvendit të Kosovës. Opozita e ka arsyetuar këtë veprim me, siç thuhet, shkeljet që presidenti Sejdiu po i bën Kushtetutës dhe injorimin e vazhdueshëm të opozitës.

Pjesa më e madhe e opozitës në Parlamentin e Kosovës ka bojkotuar fjalimin vjetor të presidentit Fatmir Sejdiu, të mbajtur sot para ligjvënësve.

Opozita e ka arsyetuar këtë bojkot me, siç thuhet, shkeljet që presidenti Sejdiu i ka bërë Kushtetutës së Kosovës me mbajtjen e dy posteve, si dhe në shenjë revolte për mospërfilljen e opozitës në rastin e caktimit të datës së zgjedhjeve lokale.

Këtyre kritikave, Sejdiu u është përgjigjur duke thënë se ai në asnjë rast nuk ka shkelur Kushtetutën, kurse vendimin për zgjedhje, siç tha presidenti, e ka marrë në konsultim të plotë me të gjitha subjektet politike.

Fatmir Sejdiu
“E para, unë nuk e kam shkelur Kushtetutën. Unë e mbaj pozicionin e presidentit të vendit ashtu si jam zgjedhur në Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe natyrisht kam të pezulluar ushtrimin e funksionit të një posti politik. Dhe, Kushtetuta shumë e qartë është në atë drejtim dhe unë i përmbahem asaj shkrese, norme që është decidive”.

“E dyta, rreth konsultave me partitë politike - unë kam zhvilluar konsulta me të gjitha partitë politike dhe s’është e vërtetë ajo që thuhet kjo apo ajo datë; kam nxjerr afërsisht një datë të përshtatshme për punë të mirë, që duhet të bëjnë institucionet në përgatitjen e zgjedhjeve”,
tha presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se AAK-ja dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë bojkotuan sot seancën në momentin kur Sejdiu u është drejtuar deputetëve, pasi që presidenti, sipas Gjinit, është shndërruar në vegël politike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe si i tillë edhe po bën shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës së Kosovës.
Nuk ka treguar vullnet për të dëgjuar dhe bashkëpunuar me opozitën, është vonuar me fjalën e tij dhe arsyet tjera që ndërlidhen me vetë funksionimin e institucionit të presidentit...

“Nuk ka treguar vullnet për të dëgjuar dhe bashkëpunuar me opozitën, është vonuar me fjalën e tij dhe arsyet tjera që ndërlidhen me vetë funksionimin e institucionit të presidentit, i cili është shndërruar në president të pushtetit dhe jo president të Kosovës”.

“Opozita dy herë ka pasur kërkesa të drejtpërdrejta për presidentin e Kosovës dhe ai as që i ka marrë për bazë ato dhe është shndërruar në president të kryeministrit”,
tha Gjini.

Edhe subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Dardanisë, arsyeton bojkotin me, siç thuhet, shkeljet e vazhdueshme të presidentit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulëzim Zeneli, shpreh indinjatën e tij me faktin se presidenti mban fjalim, por nuk lejohet debati parlamentar në lidhje me prezantimin para legjislativit.

“Fatkeqësisht, presidenti i vendit edhe sot dëshmoi se jo vetëm që e shkel Kushtetutën me dy këmbët, por vazhdon ta injorojë Kuvendin, vazhdon ta injorojë opozitën dhe vazhdon t’i injorojë obligimet kushtetuese”.

“Prandaj, ajo, çka ne sot si shenjë revolte shprehëm, tregon se duhet t’u vijë fundi veprimeve të tilla anti-kushtetuese”,
deklaroi Zeneli.

Për dallim nga opozita, subjekti më i madh në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës, i ka dhënë mbështetje të plotë Sejdiut. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, deputet i PDK-së, tha se Sejdiu ka bërë një prezantim korrekt dhe i ofroi mbështetje të plotë në punën dhe angazhimin e tij.
Natyrisht që Qeveria e Kosovës e çmon punën e presidentit dhe i jep mbështetje të plotë...

“Natyrisht që Qeveria e Kosovës e çmon punën e presidentit dhe i jep mbështetje të plotë dhe bashkëpunimi ynë ka qenë ndërinstitucional. Kosova këtë vit e gjysmë ka gëzuar organizimin më të mirë institucional ndërmjet qeverisë, presidentit dhe Kuvendit të Republikës”.

“Presidenti ka bërë punën e mirë, punën e çmuar, që i ka kontribuar ndërtimit të demokracisë, të institucioneve të vendit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe në këtë kuadër, qeveria i ka dhënë dhe do t’i japë gjithë mbështetjen e vet”,
tha Kuçi.

Ndryshe, në fjalimin e tij, presidenti Sejdiu ka folur për aktivitetet e tij politike e diplomatike gjatë një viti.

Sejdiu ka lavdëruar pozicionin që po merr Kosova si një shtet i respektuar në rajon, ndërkaq tha se edhe me Serbinë do të ketë raporte të mira, atëherë kur ky vend të pushojë me politikat destruktive ndaj Kosovës dhe minoritetit serb.

Në planin e brendshëm, Sejdiu ka kërkuar nga qeveria përkujdesje më të madhe për kategoritë e rrezikuara sociale, si dhe angazhime më të mëdha për të përmirësuar gjendjen në arsim, shëndetësi e fusha të tjera.