Obama: Musavi i frymëzoi iranianët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama e ka lëvduar Mir Hosein Musavin, kandidatin opozitar në zgjedhjet e kontestuara presidenciale të Iranit, duke thënë se ai i ka frymëzuar iranianët që të interesohen për hapjen e Iranit ndaj botës.

Pas takimit me kancelaren gjermane angela Merkel, Obama foli edhe për trimërinë e protestuesve të Iranit përballë dhunës fyese të mbështetur nga autoritetet.

Obama gjithashtu i hodhi poshtë akuzat për ndërhyrje në Iran, të thëna nga Mahmud Ahmadinexhad, i cili u shpall fitues zyrtar i zgjedhjeve të 12 qershorit.

Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë përzier, dhe shtoi se në vend të kësaj, Ahmadinexhad duhet të mendojë se si t’u përgjigjet iranianëve të cilët pësuan në trazirat.

Ndërkohë, aktivistët për të drejtat e njeriut thanë se autoritetet e kanë gjymtuar lëvizjen protestuese kundër rezultateve të zgjedhjeve, duke arrestuar disa qindra aktivistë, gazetarë, profesorë dhe studentë në mbarë Iranin.