"Sot inauguroj korridorin e kombit. Inauguroj autostradën Rrëshen-Kalimash, e cila përbën veprën më të madhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësisë së Kosovës për mbarë kombin shqiptar”, tha kryeministri Berisha në fjalën e tij në podiumin e ngritur në hyrje të një mbikalimi të autostradës. Ai i shprehu mirënjohje të thellë homologut turk, Rexhep Taip Erdogan, për pranimin e ftesës, e cila është shenjë e solidaritetit dhe miqësisë mes dy vendeve.
E konsideruar si kryesfida e projekteve në rrugë gjatë këtij mandati katërvjeçar, kryeministri Sali Berisha ka prerë shiritin që shënon hapjen e rrugës Durrës-Kukës, e cilësuar si korridori i kombit.
Në një ceremoni që justifikon përmasën e investimit me rëndësi ekonomike po aq sa dhe gjeopolitike, nuk ka munguar dhe kryeministri turk, Taip Erdogan, i mbërritur në Shqipëri jo pa qëllim, edhe për shkak të firmës amerikano-turke Behtel Enka, e cila ka punuar në aksin më të vështirë, atë Rrëshen-Kalimash, prej 61 km.
Këtu përfshihet dhe tuneli Thirrë-Kalimash, 5.5 km i gjatë, i cilësuar si ndër më të mëdhenjtë në Ballkan, punimet për të cilin përfunduan më 31 maj 2009, dy vjet pas shpërthimit të parë që shënoi fillimin e punimeve për hapjen e tij.
Mijëra qytetarë, krahas autoriteteve të larta nga Shqipëria e Turqia, morën pjesë në këtë ceremoni inaugurimi të rëndësishme. Kryetari i Qeverisë, Sali Berisha, do ta cilësonte këtë një ditë historike, që shndërron në realitet ëndrrën e shqiptarëve.
“Sot inauguroj korridorin e kombit, inauguroj autostradën Rrëshen-Kalimash, e cila përbën veprën më të madhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe pavarësisë së Kosovës, për mbarë kombin shqiptar. Korridori i kombit është nderimi më i madh për ata qindra e mijëra burra dhe gra shqiptare që ranë për të pushuar për jetë në altarin e lirisë së kombit, flijuan jetën e tyre për liri, dinjitet dhe bashkim kombëtar”, tha kryeministri Berisha.
Me një fjalim përshkruar nga nota miqësore, si një vlerësim për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, kryeministri turk, Erdogan, e vlerësoi gjithashtu rrugën Durrës-Kukës si një projekt gjigant.
Këtu Erdoan gjeti rastin të bëjë publik interesin e bizneseve turke për të rritur prezencën në Shqipëri, sikundër faktin se Qeveria që drejton, do të bëjë të mundur që projekti gjigant i gazsjellësit që do të kalojë nga Azia në Evropë, të kalojë edhe nëpër Shqipëri.
“Të nderuar miq, e them me sinqeritet se gëzimi i Shqipërisë është gëzim edhe për ne. Gëzimi për Kosovën është gëzim edhe për ne. Turqia është vendi që do të ndjejë kënaqësinë më të madhe nga zhvillimi i mëtejshëm i Shqipërisë dhe i Kosovës si vende të fuqishme, demokratike dhe të lira. Unë me kolegun tim të nderuar kemi bërë projekte edhe për gazin natyror. Shpresojmë që së afërmi të ketë një realitet të tillë që gazi natyror të kalojë transit edhe nëpër Shqipëri”, tha Erdogan.
Rruga Durrës-Kukës është 170 km e gjatë. Një nga investimet më moderne të ndërtuara në vend, në infrastrukturën rrugore me katër korsi dhe që përshkohet në të gjithë gjatësinë e saj prej 29 urave, më e larta 80 metra, në aksin Rrëshen-Kalimash.
Me mbylljen e punimeve në aksin më të vështirë, Rrëshen-Kalimash, rruga konsiderohet e përshkueshme në të gjithë gjatësinë e saj; dy prej korsive të saj janë në funksion të plotë, ndërsa viti tjetër do t’i japë pamjen përfundimtare atij që njihet si korridori i kombit.