Ndërsa reagimet nga organizata ndërkombëtare mbi kërcënimet që iu bënë Jeta Xharrës dhe ekipit të BIRN-it s’kanë të ndalur, qeveria konsideron se ka qenë një incident i izoluar. Kërcënimet ndaj Xharrës priten të shqyrtohen nga Këshilli i Shtypit dhe Prokuroria.
Qeveria e Kosovës vazhdon ta konsiderojë incident të izoluar atë që tashmë ka nxitur reagime nga organizata të shumta botërore për lirinë e shtypit - kërcënimet që u bënë në gazetën Infopress ndaj gazetares Jeta Xharra dhe stafit të Rrjetit Ballkanik për Raportim Hulumtues - BIRN.
Së fundi, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që publikisht ta dënojë “valën aktuale të kërcënimeve kundër gazetares Jeta Xharra dhe kolegëve të saj”.
A e ka bërë këtë deri më sot qeveria? Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shpjegon:
“Ka ndodhur një incident dhe Qeverisë së Kosovës i vie keq për atë incident, dhe për këtë jo vetëm që jemi garancë e tyre, por edhe krijojmë kushte dhe bazë legale dhe siguri në kuptimin juridik. Ajo që dua të them, është se kryeministri e ka shprehur qëndrimin e vet hapur".
"Po ashtu, edhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka lëshuar deklaratë në lidhje me këtë çështje dhe dua të them se qeveria është e gatshme që t'i bëjë të gjitha veprimet e duhura për të treguar që në Kosovë është një ambient për media të lira, për gazetarë dhe njerëz për të shprehur mendimin e tyre”, u shpreh Kuçi.
E tëra nisi nga edicioni i 28 majit i emisionit ‘Jeta në Kosovë’, ku u debatua mbi lirinë e shprehjes. Në kuadër të këtij debati u transmetua edhe një reportazh nga Skënderaj, në të cilin ekipi i BIRN-it u nxor jashtë nga Zyra për Informim Publik e Komunës së Skënderajt dhe më vonë u detyrua të largohet nga qyteti nën përcjelle të policisë.
Pasuan komentet në Infopress, ku ndër të tjera kishte edhe thirrje publike për linçim fizik.
Por, ajo që zëvendëskryeministri e quan incident, nga drejtoresha e BIRN-it, Jeta Xharra, vlerësohet si fushatë e orkestruar 12-ditëshe nga gazeta Infopress, që konsiderohet si gazetë pro-qeveritare.
Mua më vjen keq që qeveria vazhdon ta klasifikojë këtë rast si një incident dhe të izoluar, sepse nuk ishte një artikull që kërkoi linçim fizik dhe që na etiketoi si spiunë. Ishte një seri artikujsh...
“Mua më vjen keq që qeveria vazhdon ta klasifikojë këtë rast si një incident dhe të izoluar, sepse nuk ishte një artikull që kërkoi linçim fizik dhe që na etiketoi si spiunë. Ishte një seri artikujsh, që për 12 ditë me radhë nuk u ndalën, ishte një seri etiketimesh që iu bënë RTK-së, që iu bënë ekipit të BIRN-it dhe ekipit ‘Jeta në Kosovë’. Kjo seri artikujsh ndodhi, pasi që u bë sulmi fizik dhe u mor kaseta me dhunë”, tha Xharra.
Ndërkohë që drejtues të gazetës Infopress ka qenë e pamundur të kontaktohen, gazetari i Radio Kosovës, Qani Mehmedi, i cili nisi i pari debatin me një shkrim kundër emisionit të Jeta Xharrës në këtë gazetë, përmes një deklarate telefonike nga Maqedonia, i tha Radios Evropa e Lirë, se Infopress nuk ka kërcënuar dhe, sipas tij, Xharra nuk është e rrezikuar.
“Nuk e di pse i marrin shumë serioze disa letra të lexuesve. Mendoj se ka qenë një fatkeqësi e redakturës që i ka lëshuar disa fjali e fjalë të pamatura. Ama që dikush Jeta Xharrën e rrezikon në Kosovë, këtë nuk e besoj”, tha Mehemdi.
Ndërkaq, BIRN tashmë ka dërguar ankesa në polici, si dhe në Këshillin e Shtypit. Drejtori i këtij Këshilli, Uillem Houen, thotë se javën e ardhme do të shqyrtohet ankesa. Ai alarmon se një pjesë e mediave po kapërcen vijën që ndan mediat nga interesat e grupimeve politike.
“Disa nga mediat e përditshme po rrezikojnë shumë që ta rreshtojnë veten pranë interesave të ndryshme politike”, thotë Houen.
Organizata me renome botërore, si Human Rights Watch, Amnesty International, kanë reaguar ndaj kërcënimeve që i janë bërë Xharrës dhe kanë kërkuar veprime konkrete nga qeveria.
Veprime konkrete ka kërkuar edhe vetë Grupi Drejtues Ndërkombëtar, ku në takimin e fundit që mbajti në Prishtinë, kërkoi që të fuqizohet liria e shprehjes.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi premton se qeveria do t'i ruajë raportet korrekte me mediat, përfshirë këtu edhe me vetë Xharrën dhe stafin e BIRN-it.
“Veprimet e para do të jenë - ne kemi raporte korrekte, ne do bashkëpunojmë me mediat veç e veç, i ftojmë që të bashkëpunojnë me qeverinë, por edhe me organet e hetuesisë nëse vendoset një gjë e tillë; ne kemi krijuar një infrastrukturë të plotë juridike”.
“Ne kemi raporte të mira si ambient, por edhe raporte te mira me mediat veç e veç. Kjo nuk e prish ambientin me mediat, e as perceptimin për mediat. Përkundrazi, edhe me znj. Xharra kemi raporte korrekte dhe besoj se do t’i zhvillojmë edhe në të ardhmen”, shprehet Kuçi.
Një porosi të tillë e përçon edhe Jeta Xharra, e cila kërkon inicimin e një dialogu mes qeverisë dhe mediave.
“Mendoj se pas këtij debati, si ne që punojmë në media, si zyrtarët, si ata lokalë, ashtu edhe ata qendrorë, do të duhej ta zhvillonim një dialog, përmes të cilit do të dakordoheshim për disa rregulla më të qarta të lojës, ku të dyja palët do të mund ta kryenim punën tonë me dinjitet".
"Shpresoj se nevojën për dialog e kuptojnë të dyja palët, sepse acarimi i marrëdhënieve nuk i shkon përshtati askujt. Këtu ka rol për të luajtur edhe parlamenti, jo vetëm qeveria”, deklaroi Xharra.
Ndryshe, tashmë lënda e BIRN-it ka kaluar në Prokurorinë Komunale të Prishtinës, e cila nuk ka dalë me ndonjë rezultat mbi hetimet që po zhvillohen ndaj atyre që kanë kërcënuar me jetë Jeta Xharrën. Vetë Xharra, ndërkaq, ka thënë se gjatë tërë kësaj periudhe ka marrë kërcënime të natyrave të ndryshme.