“Kosova është shtet i pavarur dhe kështu do të mbetet, dhe tani varet nga kosovarët që të ndërtojnë një shoqëri prosperuese”, tha sot në Prishtinë, Marti Ahtisari, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë.
Zhvillimi ekonomik është çelësi i përparimit të Kosovës si shtet, ka thënë sot presidenti Marti Ahtisari, gjatë ditës së dytë të vizitës së tij në Prishtinë.
Ish-kryendërmjetësi ndërkombëtar për statusin tha se tash, kur Kosova është e pavarur, i gjithë angazhimi duhet fokusuar në zhvillimin ekonomik, stabilitetin e brendshëm, raportet e mira me fqinjët dhe integrimin në strukturat evropiane.
Këto komente, Ahtisari i bëri gjatë një debati të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme, ku ka marrë pjesë dhe Albert Rohan, shefi i ICO-së, Piter Feith, si dhe përfaqësues të jetës politike dhe shoqërisë civile.
Ahtisari tha se zgjidhja që kishte ofruar me planin e tij, ishte e vetmja zgjidhje e mundshme për Kosovën.
“Do të ishte më mirë sikur Këshilli i Sigurimit, në vitin 1999, të caktonte një përfaqësues special me mandatin që do të përgatiste Kosovën, që brenda pesë vjetësh të jetë shtet i pavarur”, tha ai.
Sidoqoftë, presidenti Ahtisari i ka inkurajuar kosovarët që tash të shikojnë kah e ardhmja dhe zhvillimi ekonomik.
“Nëse nuk mund të kemi përparim ekonomik, është shumë vështirë të ballafaqohemi me çështjet tjera, sepse zhvillimi ekonomik vë në binarë shumë çështje. Nëse koncentrohemi në ekonomi, mendoj se gjërat tjera do të ecin më mirë”, tha Ahtisari.
Ndërkohë, diplomati austriak, Albert Rohan, tha se ndihej i zhgënjyer me faktin se Bashkimi Evropian nuk arriti të jetë unik në lidhje me pavarësinë e Kosovës, marrë parasysh se pesë vende anëtare ende nuk e kanë njohur atë.
Së dyti, tha Rohan, ndihej i zhgënjyer me Këshillin e Sigurimit, i cili nuk arriti konsensus për ta miratuar Planin e Ahtisarit.
Edhe Rohan kishte disa mesazhe për lidershipin kosovar, të cilit i kërkoi një përqendrim më të madh në zhvillimin e demokracisë së brendshme.
“Institucionet duhet të punojnë më mirë, transparenca duhet rritur, liria e mediave duhet të sigurohet, të krijohen vende të lira të punës e çështje tjera”, tha Rohan.
Sipas tij, me përparimet në këto fusha, Kosova mund të japë shembull edhe te vendet tjera për zhvillimin e saj.
Ndërkaq, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Piter Feith, i rikujtoi arkitektët e statusit të Kosovës edhe për vështirësitë që has Kosova në zhvillimin e saj, marrë parasysh krizën globale financiare.
“Ajo, me të cilën po ballafaqohemi këto vitet e fundit, është kriza serioze financiare dhe rënia ekonomike”, tha Feith.
Por, sipas tij, Kosova ka ende gjasa shumë të mira për një zhvillim të suksesshëm ekonomik, pavarësisht se disa gjëra, siç tha, nuk mund të parashikohen. Megjithatë, ai u pajtua se ekonomia është çështja kryesore.
Në anën tjetër, Ahtisari tha se, megjithatë, qartësimi i statusit i ka ndihmuar shumë Kosovës që tash gjithçka të varet nga vetë autoritetet kosovare se si do të udhëheqin me vendin.
“Kosova është tash shtet i pavarur dhe kështu do të mbetet, dhe varet nga kosovarët që të ndërtojnë një shoqëri prosperuese”, tha Ahtisari, duke i uruar kosovarët për fat të mirë në shtetin dhe të ardhmen e tyre.
Gjatë debatit është shtruar edhe çështja e lënies anash të Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Albert Rohan tha se besonte që brenda pesë vjetësh edhe Kosova do të përfshihet në këtë proces.
Gjithashtu, përfaqësuesit ndërkombëtarë u bënë thirrje serbëve të përfshihen në institucione dhe t’i shfrytëzojnë favoret që u siguron atyre Plani i Ahtisarit, duke i sugjeruar edhe Beogradit ta njohë shtetin e Kosovës. Kurse, nga BE-ja kërkuan që të ketë një rol unik ndaj Kosovës.