Teheran: 7 të vdekur në protestat

Mediat shtetërore iraniane raportuan se shtatë njerëz e kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur në protestat e djeshme në Teheran, që u mbajtën kundër rizgjedhjes së presidentit Mahmud Ahmadinexhad.

Persona të armatosur, të hënën, raportohet se kanë hapur zjarr ndaj disa protestuesve, të cilët, siç njoftohet, ishin përpjekur të hyjnë në ndërtesën e një milicie radikale islamike në kryeqytetin Teheran.

Demonstruesit thanë se planifikojnë protesta edhe për sot.

Qindra-mijëra njerëz morën pjesë në protestat në Teheran, që u përshkrua si tubimi më i madh kundër qeverisë që nga koha e Revolucionit Islamik.

Përkrahësit e reformatorit Mir Hosein Musavi thonë se zgjedhjet presidenciale janë të kurdisura.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Hamnei, i cili më herët e mirëpriti fitoren e Ahmadinexhadit, të hënën i urdhëroi Këshillit të Gardës, i cili i certifikon votimet, t’i shqyrtojë pohimet për mashtrime në zgjedhjet.