Një vit pas fuqizimit, Kushtetuta e Kosovës për shumicën e serbëve mbetet e papranueshme. Megjithatë, edhe ata serbë që nuk e pranojnë pjesën politike, thonë se aktet tjera janë të standardeve evropiane. Problem mbetet zbatimi i tyre.
Sot, institucionet shënojnë njëvjetorin e fuqizimit të Kushtetutës, duke e cilësuar këtë si një ditë feste. Por, jo të gjithë në Kosovë festojnë.
Kushtetuta e Kosovës vazhdon të jetë e papranueshme për një masë të madhe të serbëve, kryesisht për ata që nuk e pranojnë shtetin e Kosovës.
Një nga ta është kryetari i Këshillit Kombëtar Serb në Mitrovicë, Nebojsha Joviq.
“Ka shumë arsye pse është e papranueshme Kushtetuta e Kosovës dhe më kryesorja është se ajo është Kushtetutë e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës. E kemi përsëritur disa herë, që nuk e njohim shtetin e Kosovës”, thotë Joviq, duke shtuar se çfarëdo akti normativ që del nga ky shtet, është i papranueshëm për ta.
Megjithatë, ka të tillë politikanë serbë, që vlerësojnë se duke përjashtuar pjesën politike, shumë nga dispozitat e Kushtetutës janë të standardeve evropiane.
Nënkryetarja e Këshillit Kombëtar Serb, Rada Trajkoviq, thotë se në Kushtetutë ka akte e dispozita që janë në favor të qytetarit.
“Fatkeqësisht, askush nuk merret me thelbin e tekstit të Kushtetutës. Natyrisht, pjesa politike është e papranueshme, sepse e definon Kosovës si shtet. Por, vetë Kushtetuta, aktet normative, krejt ato që janë të shkruara, paraqesin një zgjidhje korrekte, në përputhje të plotë me vlerat perëndimore”, shprehet Trajkoviq.
Në anën tjetër, edhe pse kundërshtar i fuqishëm i Kushtetutës, Nebojsha Joviq thotë se nuk ka pasur rast ta analizojë përmbajtjen e saj. Megjithatë, ai pranon se për të kanë punuar ekspertë të njohur evropianë nga fusha e së drejtës kushtetuese.
“Unë nuk dyshoj se ndoshta është bërë me qëllimin më të mirë për qytetarët, mbase ka në të edhe akte të mira ligjore, por meqë kemi një fushë në të, që është jo e ligjshme, atëherë çdo gjë tjetër që buron prej saj, është e paligjshme”, thotë Joviq.
Ndërkohë, Rada Trajkoviq thotë se aktet normative në Kushtetutë janë të mira, por mungon një pjesë shumë domethënëse, e ajo është gatishmëria e institucioneve të Kosovës që ato t’i zbatojë në praktikë.
“Unë gjithnjë them se ajo është evropiane dhe në përmbajtjen e saj ka elemente, që mundësojnë jetë normale të njerëzve. Edhe një herë them se secili dokument, secila shkronjë që është shkruar, duhet të zbatohet. Por, fatkeqësisht, faktori njeri po devalvon atë që është shkruar në atë dokument”, thotë Trajkoviq.
Ndryshe, Kushtetuta e Kosovës, që bazë ka Propozimin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit, garanton të drejta të avancuara për komunitetet pakicë, veçanërisht serbët, sidomos kur bëhet fjalë për reformimin e pushtetit lokal.