Strategji për evitimin e pakënaqësive sociale

Pamje në Prishtinë

Pakënaqësitë sociale të qytetarëve të Kosovës, sipas ekspertëve dhe hulumtimeve të bëra, mund të nxisin trazira sociale. Zyrtarët kosovarë pohojnë se janë duke menaxhuar vështirësitë me të cilat po ballafaqohen qytetarët.

Mungesa e një ekonomie të qëndrueshme, shkalla e lartë e varfërisë dhe e papunësisë, janë kërcenim kryesor i stabilitetit në Kosovë, thonë ekspertë për çështje sociale.

Frustrimi i qytetarëve, sipas tyre, është rritur edhe për shkak të mosfutjes së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Drejtori i Departamentit për Mirëqenie Sociale në Ministrinë e Punës, Bajram Kelmendi, thotë se pakënaqësitë sociale janë evidente dhe ato po shfaqen çdo ditë tek qytetarët e Kosovës.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka mandat ligjor në mbrojtjen e qytetarëve që kanë nevojë sociale, duke përfshirë të gjitha kategoritë. Kemi krijuar një infrastrukturë juridike të vendeve më të avancuara, që kanë sistemin e mbrojtjes sociale më të avancuar, dhe jemi në implementim të saj”, thotë zoti Kelmendi.

Ai pohon se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka bërë një strategji sektoriale, e cila është në prag të finalizimit, dhe në bazë të kësaj strategjie, siç thekson ai, do të merren aksione konkrete, të cilat do të rezultojnë me sukses në vitet që vijnë.

“Në fakt, ende llogaritet që jemi në fazën transitore, ka vështirësi, ka probleme, mirëpo mendohet që këto vështirësi janë duke u menaxhuar ashtu si duhet; në mënyrë të veçantë janë duke u menaxhuar disa kategori”, shprehet zoti Kelmendi.

Prishtinë

Ndërkohë, eksperti për çështje sociale, Fadil Maloku, pohon se situata ekonomike dhe sociale duhet urgjentisht të jetë prioritet në agjendën e Qeverisë së Kosovës. Në të kundërtën, shton ai, mundësia për nxitjen e trazirave sociale ekziston.



“Këto indikacione janë shumë të rëndësishme për të rikrijuar një mobilizim të ri nga ana e institucioneve, pasi që papunësia e madhe dhe varfëria do të jenë një kërcenim real për ta penguar ngecjen e shoqërisë kosovare”,
thotë zoti Maloku.

Sociologu Maloku pohon se duke marrë parasysh papunësinë e madhe në Kosovë, reagimet e qytetarëve kosovarë janë të kundërta me reagimet që janë normale në vendet ku ekziston demokracia.

Sidoqoftë, sipas ekspertëve, qeveria duhet të ketë një program rreth zgjidhjes së problemit social, i cili, tash për tash, thuhet se është prioritar ndaj problemeve të tjera.

“Trazirat sociale do të jenë evidente çdo herë. Vetë fakti që Kosova nuk hyri në agjendën e institucioneve ndërkombëtare për liberalizimin e vizave, është një indikacion, i cili e rrit edhe më tej frustrimin e qytetarëve të Kosovës”, thotë sociologu Maloku.

Edhe në raportin e fundit të UNDP-së thuhet se 70 për qind e kosovarëve të anketuar, çështjet ekonomike apo sociale i shohin si problemin e tyre të parë. Kështu që, sipas tyre, thuhet në raport, papunësia dhe varfëria konsiderohen si kërcënim kryesor i stabilitetit
në Kosovë.