Maqedonia thuhet se ka probleme të mëdha me fqinjët, pasi Greqia e mohon emrin e vendit dhe kombin maqedonas, Bullgaria gjithashtu nuk njeh kombin dhe gjuhën maqedonase, ndërsa Kisha ortodokse serbe nuk e njeh Kishën maqedonase. Shkupi, vetëm me Shqipërinë dhe Kosovën nuk ka çështje të hapura.
Maqedonia, përveç me Shqipërinë dhe Kosovën, me të gjithë fqinjët tjerë ka çështje të hapura. Politologu Zhidas Daskallovski deklaroi se ekzistojnë çështje të hapura, të cilat janë të ngarkuara me historinë dhe të njëjtat janë të lidhura me emrin e shtetit, gjuhën dhe kombin.
Por, sipas tij, mungojnë edhe rezultatet e duhura në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe të infrastrukturës, sepse raportet politike janë të rëndësishme për të pasur marrëdhënie ekonomike.
“Çështja e Kishës ortodokse maqedonase me atë serbe është çështje e dy institucioneve jashtë-shtetërore, andaj shteti nuk duhet të përzihet në të. Çështja e historisë është çështje e historianëve dhe përderisa nuk instrumentalizohet për qëllime politike në Bullgari, nuk do të ndikojë në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, kështu që këto çështje duhet t'i lëmë anash që t'i zbusim kundër-qëndrimet e Serbisë dhe Bullgarisë”, tha Daskallovski.
Sipas tij, kjo mund të arrihet nëse vendi përqendrohet në bashkëpunimin në sfera jopolitike me Serbinë dhe Bullgarinë.
Daskallovski thotë se momentalisht çështje e vetme më e rëndësishme është çështja e kontestit grek me Maqedoninë.
“Me Greqinë, çështja është më e komplikuar, sepse fakti që s'mund t'i bindim grekët se pozicioni ynë është i drejtë, nuk është i mjaftueshëm për momentin, sepse ne duhet ta bindim bashkësinë ndërkombëtare”, tha Daskallovski.
Sa i përket çështjes së emrit, politika greke mbetet në pozicionin se zgjidhja e çështjes mund të arrihet nëse Maqedonia pranon një emër me parashtesë gjeografike, që do të përdorej nga të gjithë.
Ndërsa, Qeveria e Maqedonisë vlerëson se Maqedonia angazhohet që të gjejë zgjidhje për emrin, që nuk do t'u bëjë dëm interesave shtetërore dhe kombëtare, kurse fjalën e fundit do ta thotë populli në referendum.
Sa u përket marrëdhënieve të Maqedonisë me Shqipërinë dhe Kosovën, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Zeqirja Idrizi, deklaroi se ato janë në nivel shumë të mirë, por Shkupi zyrtar nuk e vlerëson si duhet qasjen e Tiranës dhe Prishtinës.
“Nuk është interes i Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që të kenë marrëdhënie të këqija me Maqedoninë. Maqedonia nuk është mirënjohëse ndaj shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, e në veçanti shqiptarëve të Maqedonisë. Politika aktuale maqedonase nuk është mirënjohëse, mirëpo kjo do të thotë se populli maqedonas nuk ka mirënjohje të kësaj natyre”, u shpreh Idrizi.
Maqedonia e njohu Kosovën, por presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, nuk ftoi në inaugurimin e tij homologun kosovar, Fatmir Sejdiu, ndërsa ky i fundit refuzoi ftesën e Ivanovit për të vizituar Shkupin, meqë vizita ishte parashikuar të jetë vizitë pune, e jo zyrtare. Pas kësaj, Sejdiu paralajmëroi se Prishtina do të zbatojë reciprocitet në marrëdhëniet me Shkupin.