Financimi i partive politike

Ligjvënësit kosovarë

Shoqëria civile ka kritikuar institucionet për mosmiratimin e ligjit për financimin e partive politike. Në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, është thënë se mungesa e këtij ligji ngrit dyshime për veprimtarinë e subjekteve politike.
Një grup punues i Qeverisë është duke përpiluar projekt-ligjin për financimin e partive politike, ligj ky që është parë si i domosdoshëm në rritjen e transparencës së subjekteve politike, por edhe pamundësimin e keqpërdorimeve apo korrupsionit.

Projektligji për këtë çështje që nga viti 2004 është bartur nga Kuvendi te UNMIK-u, për t’u kthyer në fund te sponsorizuesi - Qeveria e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi premtoi se projektligji do të jetë i gatshëm para fushatës për zgjedhjet lokale.

Hajredin Kuçi
“Të gjitha përgatitjet po bëhen që ligji të procedohet shumë shpejt në Kuvend dhe ai të miratohet gjithsesi para fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale të këtij viti, që nënkupton se këto zgjedhje duhet të mbahen sipas ligjit të ri për financimin e partive politike, që e garanton një transparencë të plotë në financimin e partive politike, një disiplinim do të thosha të vetë partive politike, por edhe të këtyre financave dhe prejardhjeve të atyre financave”,
tha Kuçi.

Por, shoqëria civile dhe subjektet politike që nuk udhëheqin institucionet, thonë se dëmi nga mungesa e këtij ligji deri më tani, është i madh.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, mendon se mungesa e këtij projektligji u hap shteg keqpërdorimeve në institucione.
Nuk mund të pritet ndërtim i institucioneve të pakorruptuara, ndërtim i institucioneve transparente, përderisa nuk kemi transparencë në qelizën e parë të krijimit të tyre...

Nuk mund të pritet ndërtim i institucioneve të pakorruptuara, ndërtim i institucioneve transparente, përderisa nuk kemi transparencë në qelizën e parë të krijimit të tyre, që janë subjektet politike, sepse nga to pastaj udhëhiqet vendi dhe ky pastaj është një defekt”, u shpreh Makolli.

Ndërsa grupet parlamentare financohen nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, partitë që nuk kanë mundur të kalojnë pragun zgjedhor, nuk i gëzojnë këto përfitime.

Në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës u propozua që në ligj të përfshihet edhe financimi i partive të vogla politike para fushatave, me kusht që nëse nuk kalohet pragu zgjedhor, ato para t’i kthehen sërish Thesarit të Kosovës.

Ndërkohë, Teuta Sahatçia, kryetare e Partisë Politike Ora, ka kritikuar partitë politike në pushtet për mostransparnecë.

Teuta Sahatçia
“Partitë politike në pushtet, përmes institucioneve, kontrollojnë paranë publike dhe shpenzimet në këto institucione. Përmes këtyre institucioneve, partitë kanë mundësi që të bëjnë përzgjedhje të ndryshme, të cilat hipotetikisht mund t’u ndihmojnë partive. Mjafton të shihen pengesat në marrjen e vendimeve, siç janë përzgjedhja e anëtarëve për bordet e ndërmarrjeve publike, vonesat e shumta në KQZ etj”,
u shpreh Sahatçia.

Ndryshe, debati i sotëm vjen dy ditë pasi që Transparency International publikoi raportin mbi korrupsionin, ku partitë politike në Kosovë u radhitën si sektori i dytë i prekur nga kjo dukuri.

Përfaqësuesi i Transparency Intenrnational në Tiranë, Lutfi Dervishi, thotë se mungesa e ligjeve, por edhe e mekanizmave që kontrollojnë zbatimin e ligjeve, çon kah keqpërdorimet e mundshme.

“Ligji, zbatimi i tij, kontrolli, transparenca dhe llogaridhënia - janë pjesë, hapa normalë të një shoqërie demokratike, hapa që do të duhej ndërmarrë në mënyrë që partitë politike të jenë përgjegjëse”, theksoi Dervishi.

Mungesa e transparenëcs së subjekteve politike është potencuar edhe në shumë raporte të organizatave që merren me demokratizimin e shoqërisë.
Ndërkohë, OSBE-ja, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe lokale, të mbajtura në vitin 2007, pati gjobitur për mosdërgimin e raportit financiar mbi shpenzimet në fushatën zgjedhore disa subjekte politike, në mesin e të cilave kanë qenë edhe partitë më të mëdha në vend.