Analistët: Rihapja e bisedimeve për Pakon - me rrezik

Pamje në Prishtinë

Që të jenë pjesë e procesit të decentralizimit, përfaqësuesit e serbëve kërkojnë rihapjen e bisedimeve për Pakon e Ahtisaarit në dispozitat ku flitet për decentralizimin. Një kërkesë e tillë, nga analistët në Prishtinë konsiderohet me rrezik.

Moszbatimi i Pakos së Ahtisarit ka ndikuar që Beogradi t’i nxisë subjektet politike të serbëve lokalë që të kërkojnë hapjen e bisedimeve për pjesët e Planit të Ahtisarit, ku flitet për decentralizimin, vlerësojnë analistët.

Sipas tyre, institucionet e Kosovës duhet të tregojnë aftësi dhe ta zbatojnë Pakon e Ahtisarit, ngase zvarritjet e mëtejme, thuhet se do të mund të cenonin integritetin territorial të Kosovës.

Analisti Ramush Tahiri thotë se institucionet vendase mund të nisin bisedimet me serbët, por jo edhe me Beogradin në lidhje me decentralizimin. Ndërkaq, nëse kërkohet rinegocimi për Pakon e Ahtisarit, ai thotë se kjo do të ishte me rrezik të madh politik për Kosovën.

“Kërkesat për debatim që të niset çdo gjë nga fillimi dhe me segmentin ndërkombëtar, e kanë një synim që ta ndërkombëtarizojnë çështjen, tash të brendshme të Kosovës, ndërmjet serbëve, shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare, dhe si të tillë ta zhvleftësojnë Pakon e Ahtisarit”.

“Kështu që në këtë bazë nuk duhet pranuar bisedimet. Përndryshe, bisedimet me qytetarët e vet, Kosova duhet t’i pranojë, në këtë rast jo me Serbinë, sepse s’ka arsye”,
thekson Tahiri.

Çdo formë e decentralizimit mund të negociohet, thotë Tahiri, por jo edhe negocimi për tërësinë territoriale të Kosovës.

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, përfshirë edhe ata të pjesës veriore, të cilët njihen për qëndrim refuzues ndaj institucioneve, ditëve të fundit, shprehen të gatshëm të bisedojnë me Prishtinën, por duke kërkuar modifikimin e Pakos së Ahtisarit.

Kjo kërkesë, sipas analistit Arben Gashi, shihet si pasojë e mungesës së aktiviteteve të institucioneve të Kosovës për ta zbatuar Planin e Ahtisarit, si dhe rezultat i angazhimeve të Beogradit për t’u përfshirë në çështjet e brendshme të Kosovës.
Institucionet e Kosovës bartin përgjegjësinë kryesore për moszbatimin e Pakos së Ahtisarit dhe si rezultat i moszbatimit të kësaj pakoje të dhimbshme..., institucionet e Kosovës kanë rrezikuar dhe po rrezikojnë realisht tërësinë territoriale...

“Institucionet e Kosovës bartin përgjegjësinë kryesore për moszbatimin e Pakos së Ahtisarit dhe si rezultat i moszbatimit të kësaj pakoje të dhimbshme, të negociuar ndërkombëtarisht, institucionet e Kosovës kanë rrezikuar dhe po rrezikojnë realisht tërësinë territoriale të vendit dhe po e rrezikojnë funksionalitetin e institucioneve, sepse ky pasivitet i institucioneve nuk ka asnjë shpjegim tjetër, përveç mungesës së kapaciteteve politike, guximit politik dhe kapaciteteve profesionale për ta trajtuar këtë çështje”, thotë Gashi.

Analisti Arben Gashi thotë se modeli që kanë institucionet e Kosovës në tavolinë, e që parashihet me Pakon e Ahtisarit, është i pranuar ndërkombëtarisht, por mungon guximi politik i institucioneve që të ballafaqohen me problemin e decentralizimit.

Vazhdimi i një politike të tillë, sipas Gashit, mund të sjellë në tavolinë sërish plane të rrezikshme, siç ishte plani gjashtëpikësh, i cili cenonte integritetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.

“Institucionet e Kosovës definitivisht duhet ta implementojnë Pakon, të cilën e kanë negociuar dhe e kanë arritur si marrëveshje politike dhe jo të futen në negocime dhe diskutime, të cilat realisht mund të rrezikojnë, siç është situata me gjashtëpikëshin, me ndonjë shtatëpikësh apo situata të ngjashme, ku do të rifuten në diskutime se sa komuna të reja do të krijohen”, thekson Gashi.

Decentralizimi, sipas planit aktual, shpesh është vlerësuar se garanton një nivel të autonomisë për serbët në shkallën më të lartë të praktikave të deritashme evropiane.

Mirëpo, sidoqoftë, të pakënaqur me vetë statusin e Kosovës, serbët kanë refuzuar edhe këtë lloj decentralizimi, duke kërkuar që ai të përkufizohet në një autonomi të gjerë për këtë komunitet.

Lidhur me këto kërkesa, analisti Ramush Tahiri thotë se autonomia që po synojnë subjektet politike serbe, merr dimensionin e një autonomie politike, çka është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Serbët dëshirojnë një autonomi jo lokale, por një autonomi politiko-territoriale, duke dëshiruar që të zotërojnë sa më shumë territor të Kosovës...

“Serbët dëshirojnë një autonomi jo lokale, por një autonomi politiko-territoriale, duke dëshiruar që të zotërojnë sa më shumë territor të Kosovës dhe duke dëshiruar që t’i lidhin territoret e Kosovës përmes korridoreve dhe si të tillë, ata vetëm dëshirojnë që ta bëjnë të paqenë Pakon e Ahtisarit dhe t’ua humbin kredibilitetin e përfaqësimit institucioneve të Kosovës”, deklaron Tahiri.

Ndryshe, decentralizimi është një proces që diskutohet në Kosovë që nga viti 2002. Mirëpo, ky proces nuk ka mundur të gjejë zbatim e as përkrahje të serbëve, sidomos atyre në veri të Kosovës, kështu që pavarësisht premtimeve se me decentralizim do të krijohen 10 komuna me shumicë serbe, përfaqësuesit e këtij komuniteti kërkojnë modifikime si në autonomi, ashtu edhe në kufijtë e këtyre komunave.