“Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë në Ballkan në formë të unifikuar. Prandaj, po, mendoj se duhet të ketë emisar amerikan, por ndoshta gjithashtu duhet të ketë një emisar evropian”, thotë Luis Sell, ish-diplomat amerikan.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sell, si e gjeni Kosovën sot, më shumë se një vit që prej shpalljes së pavarësisë?
LUIS SELL
Fillimisht, më duhet të them se kam bërë një vizitë të shkurtër këtu në Kosovë. Por, sidoqoftë, gjatë kësaj vizite kam hasur në shumë ndryshime pozitive. Mendoj se është përfundimisht e vërtetë se Kosova është realisht dhe përfundimisht një shtet i pavarur dhe se kjo pavarësi është tashmë e pakthyeshme.
Gjithashtu, ka shenja të dukshme të një përparimi të madh, por ky është vetëm hapi i parë. Ka edhe shumë hapa të tjerë që duhet ndërmarrë për ta shndërruar këtë pavarësi në realitet të fuqishëm. Megjithatë, jam i bindur se me kohë, me zbatimin e një qasjeje të duhur nga kosovarët dhe komuniteti ndërkombëtar, kjo detyrë do të përmbushet.
RADIO EVROPA E LIRË
Veriu vazhdon të mbetet sfidë e madhe, ndërkohë që autoritetet në Kosovë përballen me telashe në shtrirjen e autoritetit në atë pjesë. A shihni ndonjë rrugëdalje?
LUIS SELL
Mendoj se problemet në veri dhe paaftësia e vazhdueshme, qoftë e komunitetit ndërkombëtar apo e autoriteteve të Kosovës, për të ushtruar kontroll të vërtetë në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë pra edhe veriun, është padyshim një çështje problematike afatgjate për shtetin e Kosovës.
Mendoj se ky problem duhet të adresohet me kujdes, por, njëkohësisht, me një sasi të caktuar vendosmërie. Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, ka dhënë një mesazh të fuqishëm dhe pozitiv për Kosovën dhe kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht.
Qeveria e Kosovës dhe autoritetet ndërkombëtare duhet të punojnë në këtë drejtim, me një qasje të kujdesshme hap pas hapi, për të rikthyer sovranitetin e plotë në atë pjesë të Kosovës. Natyrisht, e gjithë kjo duhet bërë me një respektim të plotë për të drejtat e të gjithëve që jetojnë në atë rajon.
RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur diskutime për mundësinë e emërimit të një të dërguari të posaçëm të Shteteve të Bashkuara në rajon. Këto diskutime janë intensifikuar edhe më shumë me ardhjen e nënpresidentit amerikan, Xho Bajden. Si e shihni ju këtë çështje?
LUIS SELL
Mendoj se vizita e zoti Bajden ka dërguar një mesazh shumë të fuqishëm, se Shtetet e Bashkuara synojnë të jenë të angazhuara fuqimisht dhe në mënyrë pozitive në Ballkan, përfshirë këtu pra edhe Kosovën, me gjithë çështjet e shumta serioze, të cilat janë në agjendën ndërkombëtare, veçanërisht atë amerikane.
Kjo është një gjë shumë e mirë. Personalisht, mendoj se duke pasur parasysh rëndësinë, qoftë aktuale apo atë historike, të këtij rajoni për Shtetet e Bashkuara dhe duke marrë parasysh njëkohësisht natyrën e vështirë të disa problemeve, do të ishte ide e mirë për të emëruar një të dërguar të posaçëm të Shteteve të Bashkuara.
Por, nuk mendoj se kjo duhet parë si një hap i Shteteve të Bashkuara përballë Bashkimit Evropian. Duhet të ketë edhe një ekuivalent evropian. Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë në Ballkan në formë të unifikuar. Prandaj, po, mendoj se duhet të ketë emisar amerikan, por ndoshta gjithashtu duhet të ketë një emisar evropian.
Në këtë formë, edhe Shtetet e Bashkuara, edhe Evropa, mund ta çojnë bashkërisht këtë proces përpara. Kosova e ka mike Amerikën dhe kjo është e përhershme, por Kosova është pjesë e Evropës dhe kjo gjithashtu është e përhershme. Kosova pra duhet të punojë mbi bazën e të dyja këtyre realiteteve.
RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë, megjithatë, kanë tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara duhet të emërojnë një të dërguar për t’iu përgjigjur, siç kanë thënë, paaftësisë së bllokut evropian për t’u marrë me rajonin…
LUIS SELL
Mendoj se është gabim të thuhet se Bashkimi Evropian është i paaftë për t’u marrë me këtë çështje. BE-ja, sikurse edhe të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare, ka çështjet e veta, ka prioritetet e veta dhe mendoj se duhet të jetë e angazhuar më pozitivisht për të gjetur zgjidhje përfundimtare në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën.
Por, duhet të ketë një partneritet ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të punojnë bashkërisht, mbase me tinguj të njëjtë të muzikës.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sell, njohja ndërkombëtare e shtetësisë së Kosovës vazhdon të jetë çështje e debatueshme. Sa i kënaqshëm mendoni se është numri aktual i njohjeve?
LUIS SELL
Kjo çështje mund të trajtohet ashtu siç trajtohet dilema nëse gota është gjysmë e mbushur apo gjysmë e zbrazët. Është gjë e mirë që Kosova ka fituar këtë numër që ka sot të njohjeve ndërkombëtare. Jam i bindur se nëse Kosova vazhdon të punojë me efektivitet, nëse dëshmon se mund ta qeverisë vetveten, atëherë numri i shteteve që njohin shtetësinë, do të rritet.
Gjithashtu, mendoj se Kosova duhet të shikojë edhe shembujt tjerë të njohjes ndërkombëtare. Ajo tashmë është bërë anëtare e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë. Është arritje e madhe për Kosovën të bëhet anëtare e FMN-së dhe tani Kosova duhet të përqendrohet në Evropë.
E ardhmja e Kosovës, në një masë të madhe, gjendet pikërisht në pozitën që ka në Evropë dhe marrëdhëniet që ka me Bashkimin Evropian. Këto marrëdhënie duhet të zhvillohen edhe më.
Personalisht, shpresoj shumë se komuniteti ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian do të marrin përsipër çështjen e raporteve të Kosovës dhe Serbisë brenda bllokut evropian, si një proces që duhet të ecë përpara si tandem.