Zyrtarët e OSBE-së në Kosovë thonë se ende nuk e kanë të qartë se çfarë roli do të mund të ketë kjo organizatë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas OSBE-së, ky rol pritet të përcaktohet pasi kosovarët fillimisht të caktojnë datën e zgjedhjeve.
Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ende nuk e ka përcaktuar rolin që do ta ketë në procesin e zgjedhjeve lokale, që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.
Ndërkohë, partitë politike, si ato opozitare, ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila bën pjesë në Qeveri, kërkojnë që OSBE-ja dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë të kenë një rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme, duke dyshuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kapacitete të mjaftueshme për organizim pa mbështetje ndërkombëtare.
Mirëpo, zëdhënësja e misionit të OSBE-së në Kosovë, Elli Flen, thotë se ende nuk është i qartë roli i OSBE-së në zgjedhjet e vjeshtës.
“Kur bëhet fjalë për rolin tonë të mundshëm në organizimin e zgjedhjeve, kjo është ende e paqartë. Ne nuk jemi ende në gjendje të themi se cili do të jetë me saktësi roli ynë”, thotë zëdhënësja Flen.
Ajo thotë se OSBE-ja po i dëgjon të gjitha palët dhe, para së gjithash, mendon se aktorët tjerë në Kosovë duhet që të vendosin fillimisht se kur do të mbahen dhe si do të zhvillohen zgjedhjet lokale.
Partitë politike kërkojnë një rol monitorues apo edhe mbikëqyrës nga ana e OSBE-së. Lidhur me këtë kërkesë, OSBE-ja thotë se çështja duket të jetë më shumë e komplikuar. Vëzhgimi apo mbikëqyrja zyrtare e zgjedhjeve në të kaluarën është bërë nga misioni i OSBE-së, por kësaj radhe duket se nuk ka shumë gjasa që kjo të ndodhë.
Ka pak gjasa që misioni i OSBE-së t’i vëzhgojë zgjedhjet në cilësinë e një misioni zyrtar vëzhgues... Kur bëhet fjalë për rolin tonë të mundshëm në organizimin e zgjedhjeve, kjo është ende e paqartë...
“Ka pak gjasa që misioni i OSBE-së t’i vëzhgojë zgjedhjet në cilësinë e një misioni zyrtar vëzhgues. Ndërkaq, kur bëhet fjalë për rolin tonë të mundshëm në organizimin e zgjedhjeve, kjo është ende e paqartë”, deklaron zëdhënësja Flen.
Ajo sqaron se ky mision në vazhdimësi i vëzhgon të gjitha proceset politike në Kosovë, por kur bëhet fjalë për një mision zyrtar vëzhgues të zgjedhjeve, ajo beson se ka pak gjasa që të bëhet një gjë e tillë.
OSBE-ja, për shkak të organizimit të saj, nuk ka një qëndrim unik në lidhje me pavarësinë e Kosovës, kështu që edhe kjo çështje, sipas autoriteteve kosovare, mund të jetë pengesë në përcaktimin e rolit të qartë të kësaj organizate në zgjedhjet e ardhshme.
Për autoritetet vendase në Kosovë, sidomos për Partinë Demokratike të Kosovës, aktualisht partia më e madhe, zgjedhjet do të duhej të organizoheshin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me një rol të caktuar monitorues të mekanizmave ndërkombëtarë.
Kurse, partitë tjera mbështesin një rol shumë më të rëndësishëm ndërkombëtar në këtë proces. Mes tjerash, opozita, sidomos, thotë se roli ndërkombëtar në zgjedhje është i nevojshëm për mbarëvajtjen e procesit dhe pranimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Ndërkohë, presidenti Sejdiu pritet ta thërrasë edhe takimin përmbyllës me partitë politike për ta caktuar përfundimisht datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale në Kosovë.