Vazhdon kthimi i policëve serbë

Policët e suspenduar serbë

Që nga vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për t’ua ndërprerë pagat policëve serbë të suspenduar, Policisë së Kosovës i janë kthyer 25 punonjës serbë. Ministria e Punëve të Brendshme pret që para fundit të qershorit, ky numër të rritet dukshëm.

Pa u bërë dy javë nga vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndalesën e pagës, 25 policë serbë të suspenduar kanë vendosur t’i kthehen Policisë së Kosovës.

Shumë nga ta janë nga rajoni i Gjilanit, nga ai i Prishtinës, por ka të kthyer edhe në policinë kufitare. Në Graçanicë, mjedis ky i banuar me shumicë serbe, janë kthyer 3 të suspenduar.

Zëvendëskomandanti i stacionit të policisë në këtë vend, Ramë Kryeziu, thotë se ka gjasa që numri i të kthyerve të rritet.

“Në stacionin policor në Graçanicë janë kthyer 3 punonjës të nacionalitetit serb, por ata kanë qenë të stafit civil dhe janë kthyer në afatin e paraparë, para se t’u ndërpritej paga. Të tjerët, sipas informatave të pakonfirmuara nga kontaktet, pritet të kthehen gjatë javës së parë të qershorit”,
tha Kryeziu.

Në këtë stacion mbesin të suspenduar edhe 31 zyrtarë policorë dhe 3 të stafit civil. Ndërkohë, gjithandej Kosovës janë edhe mbi 250 policë tjerë të suspenduar. Ata ende nuk kanë vendosur nëse duan ose jo t’u kthehen vendeve të tyre të punës, të lëna bosh që në shkurtin e vitit 2008.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, thotë se vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka nxitur kthimin.

“Pas marrjes së vendimit nga MPB-ja, ne i kemi 25 pjesëtarë të policisë që janë kthyer dhe vazhdojnë detyrat e tyre normale. Para vendimit i kemi pasur edhe 20 zyrtarë që janë kthyer, që do të thotë se numri total është 45 pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb që janë kthyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në detyrat e tyre normale”, deklaroi Beka.

Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme parasheh që nëse deri më 30 qershor policët nuk kthehen në vendet e tyre të punës, atëherë nuk konsiderohen më punonjës të policisë.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, megjithatë mendon se deri më 30 qershor, policët serbë do t’i kthehen punës.

“Ne presim që deri më 30 qershor shumica nga ta të kthehen në Policinë e Kosovës dhe të vazhdojnë kontributin e tyre për të siguruar rendin publik dhe zbatimin e ligjit në vend”, u shpreh Rexhepi.

Rreth 300 policë serbë, të nxitur nga Beogradi zyrtar, patën braktisur vendet e tyre të punës menjëherë pas pavarësisë së Kosovës. Fisnik Rexhepi pranon se presioni i Beogradit po vazhdon ende.
...ata kanë presion që të mos kthehen në Policinë e Kosovës, por ne i kemi ftuar ata që ta marrin këtë vendim duke u bazuar në interesat e komunitetit që ata i takojnë...

“Vetë fakti se policët e suspenduar kanë qenë në presion nga Beogradi zyrtar, ata kanë presion që të mos kthehen në Policinë e Kosovës, por ne i kemi ftuar ata që ta marrin këtë vendim duke u bazuar në interesat e komunitetit që ata i takojnë, por edhe në profesionalizmin e tyre personal, karrierën e tyre. Disa nga ta kanë reflektuar pozitivisht; presim që numri i tyre të rritet në ditët e ardhshme”, tha Rexhepi.

Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për të rekrutuar policë të rinj, nëse të suspenduarit nuk i kthehen punës, është kritikuar nga zyrtarë të Qeverisë serbe, të cilët insistojnë që çështja e policisë të zgjidhet në kuadër të planit gjashtëpikësh - pra të funksionojnë dy zinxhirë komandues.

Kjo gjë është hedhur poshtë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, e cila këmbëngul që nëse kësaj here nuk zbatohen afatet, do të shpallë konkurs për policë të rinj të komunitetit serb.