Qytetarët e Kosovës, vizitën e nënpresidentit amerikan, Xhozef Bajden, e kanë cilësuar si një nga vizitat më të rëndësishme që i është bërë Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. Ata thonë se me ardhjen e numrit dy të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është konfirmuar edhe një herë mbështetja që është duke iu bërë Kosovës.
Shefki Jashari thotë se vizita e nënpresidentit Bajden është një vizitë historike dhe nder i madh që i është bërë Republikës së Kosovës.
“Edhe një herë e vërtetoi me fjalën e tij që Kosova do të jetë e pandarë dhe se njohja e pavarësisë është e pakthyeshme. Është me rëndësi për ne të rikonfirmohet prapë kjo mbështetje nga administrata amerikane”, thotë Jashari.
Rabit Gashi, ndërkaq, thekson se zoti Bajden u prit si hero në Kosovë, ashtu siç edhe e ka merituar.
“Besoj që nënpresidenti Bajden ka ardhur me një porosi për udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Ne duhet t’i zbatojmë dhe t’i dëgjojmë se me siguri që SHBA-të do të na përkrahin edhe në të ardhmen, dhe për këtë ne duhet t’i respektojmë sugjerimet dhe idetë e tyre”, thotë ai.
Aurora Beqiri thotë se ndihet shumë e lumtur.
“Unë, ardhjen e nënpresidentit Bajden në Kosovë e shoh si një ngjarje mjaft të madhe për ne. Besoj që edhe në të ardhmen nënpresidenti do të ndihmojë në zhvillimin e Kosovës”, u shpreh ajo.
Xhevat Simnica, një tjetër qytetar, shprehet i bindur se kjo vizitë do të ndikojë në hapjen e rrugëve të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
“Është një vizitë, e cila na jep shpresë për zhvillimin e Kosovës në të gjitha sferat. Bajden është miku më i madh i Kosovës”, thotë Simnica.
Ndërkaq, Avdush Morina mendon se një vizitë e tillë do të sjellë stabilitet në rajon.
“Ai është i mirëseardhur; e konsiderojmë mikun më të madh të Kosovës. Mendoj që politika amerikane duhet të mos ndryshojë karshi Kosovës”, thotë ai.
Edhe Osman Vitia, vizitën e nënpresidentit Xhozef Bajden e konsideron si mbështetje dhe përkrahje për shtetin e Kosovës.
“E gjithë Kosova e priti këtë njëri të çmueshëm, përkrahësin më të madh të pavarësisë së Kosovës, njeriun i cili mbrojti interesat e kosovarëve. Është ditë shumë e veçantë për ne si popull. Kësaj here në ditëm të presim një nënpresident ashtu si duhet”, u shpreh Vitia.
Ndryshe, numri dy i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhozef Bajden, po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë.